Partizani luan të premten ndeshjen e javës së 17-të me Kukësin, një rival direkt në garën e titullit kampion, ku të kuqtë janë më të favorizuar. Kryesojnë me 5 pikë nga vendi i dytë dhe trajneri Skënder Gega, i cili ka dalë në konferencë shtypi dy ditë para kësaj sfide, beson se Partizani mund të bëjë edhe më mirë në vazhdim të kampionatit:
“Jam i kënaqur me ndeshjen me Teutën, sepse morëm atë që na takonte. Partizani u shfaq një ekip me karakter dhe tani jemi fokusuar te ndeshja e radhës Kukësin. Na mungon Asani, por çdo mungesë rëndon. Ai është një lojtar i ri dhe këtë kampionat ka qenë në nivelin e duhur. Ka ende për të përmirësuar, por deri tani ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ne. Kundërshtari ka merita, sepse vjen nga 3 fitore radhazi. E respektoj, por kryesuesit jemi ne, e dimë forcën tonë dhe do mundohemi të fitojmë. Mund të fitojmë me Kukësin dhe çdo kundërshtar tjetër.
Duhet të jemi të kujdesshëm, ndërsa rezultati nuk mund të vendoset para se ndeshja të luhet. Marrëveshja ime me Partizanin është mes familjes. Kam ardhur për të dhënë kontributin tim, për të bërë diçka të mirë. Jam i kënaqur dhe krenar për futbollistët që kam. Nuk mendoj për merkaton, por për ndeshjet me Kukësin dhe Luftëtarin, që janë shumë të rëndësishme. Për merkaton kemi kohë, nuk ka dëshirë për të larguar askënd, por për përforcime, pasi është edhe gjysma tjetër e kampionatit.

Luajmë pa tifozë ndaj Kukësit dhe do të dëgjohen trajnerët, kështu që duhet të jem i kujdesshëm kur të flas. Uroj që lojtarët të shprehen sa më mirë në fushë. Nuk dua të paragjykoj një vendim të një institucioni. Është fakt që nuk ka tifozë dhe kjo është humbje e madhe për ne. Në Durrës na përkrahën për 90 minuta, i dimë hallet e njerëzve dhe u jemi mirënjohës. Hebaj është lojtar i rëndësishëm për Partizanin, është 20 vjeç dhe po mundohet të rritet. Ai është profesionist dhe jam i kënaqur me të”, – theksoi Gega mes të tjerash në konferencë shtypi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje