Në Madrid shkoi gjithçka mirë, kurse në Argjentinë ka ndodhur një tragjedi, që rrezikon të ndezë zjarrin e një ndeshjeje të nxehtë dhe shumë të kontestuar. Në provincën e Misiones është derdhur gjak për fitoren e River Plejtit ndaj Bokës në Kupën Libertadores.
Siguria në Madrid ishte në nivelin e duhur dhe nuk pati pasoja. Gjithçka funksionoi, pasi edhe turma e argjentinasve të ardhur për këtë ndeshje nuk ishte aq e frikshme sa ishte menduar. Kurse në Argjentinë nuk mund të shkonte çdo gjë pa probleme. Sipas “Clarin”, një tifoz i River Plejtit është vrarë, sepse festoi fitoren ndaj Boka Zhuniorit. Exequiel Aaron Neris, një tifoz 21-vjeçar, është qëlluar me thikë për vdekje, pasi kishte festuar me miqtë e tij fitoren e River Plejtit. Familja e djaloshit të vrarë ka shpjeguar se fjalët e fundit të tij ishin për atë çfarë ndodhi: “Më kanë sulmuar, sepse po festoja, më vranë sepse jam një tifoz i River Plejtit”. Këto ishin fjalët që djaloshi i kishte thënë nënës së tij para se të ndërronte jetë.

Kurse “Marca” bën me dije se janë ndaluar nga policia dy vëllezër, të dy tifozë të Boka Zhuniorit, njëri 18 dhe tjetri 22 vjeç. Të dy akuzohen për vrasjen e Exequielit. Thika e përdorur në atë ngjarje është gjetur në një banjo publike. Për familjen e djalit është vërtet një dramë. Exequiel sapo kishte marrë veten nga një aksident me motor, që i kishte lënë pasoja në njërën këmbë. Ai mbante veshur fanellën e River Plejtit në momentin kur u sulmua. Ai ishte i vetmi tifoz i “milionerëve” në një familje “bosteros”. Por gëzimi për një Kupë Libertadores të fituar ndaj rivalëve të përjetshëm, për fat të keq, zgjati pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje