Politike

Vuçiç, Rama dhe Mickovski mbajnë gjallë ‘Ballkanin e Hapur’. Panairi i verës, Denaj në Beograd. BDI akuzon kryeministrin në Shkup

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa në 1 korrik 2023, nisma e Ballkanit të Hapur (aq shumë e debatuar dhe e kundërshtuar) u njoftua se politikisht e mbylli misionin e saj, aktivitetet ekonomike në kuadër të panaireve mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk janë ndalur. Organizimi më i fundit ishte në Beograd i panairit “Wine Vision” në kuadër të Inicativës Ballkani i Hapur.

Tirana e “maskon” këtë aktivitet, ndërsa Beogradi dhe Shkupi aspak.

Shqipëria u përfaqësua nga Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj. Kryeministri Edi Rama iu bashkua online dhe foton e tij e publikoi Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Nga Ministria e zonjës Denaj dhe qeverisë shqiptare nuk ka asnjë njoftim zyrtar, vetëm disa foto të postuara në faqen e Facebook të ministres, por që nuk e përmend që panairi mbahet në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Ndërsa Kryeministri i Maqedonisë së Veriut që e ka kundërshtuar kur ishte në opozitë këtë nismë, Hristijan Mickovski ishte fizikisht në Beograd.   

Denaj ndërsa tha se Shqipëria përfaqësohet nga 7 kantina vere, deklaroi se ky panair nxit forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe eksportin e verërave shqiptare.

Por teksa në Tiranë nuk ka asnjë reagim, pjesëmarrja në Panairin ndërkombëtar të verës, rakisë dhe turizmit në Serbi e Mickovskit, riktheu në Shkup dhe njëherë polemikat dhe mosmarrëveshjet për iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia shqiptare në opozitë, përmes një konference për media kritikoi Mickovskin dhe koalicionin shqiptarë “VLEN”, pjesë e Qeverisë maqedonase, për qëndrime kontradiktore lidhur me këtë iniciativë.

“Lëvizja Besa (pjesë e koalicionit VLEN) atë kohë ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se është pjesëmarrëse në projektin Ballkani i Hapur, i cili sipas Besës, është një projekt serbo-rus… Kandidati presidencial nga koalicioni VLEN, Arben Taravari më 2 prill ka deklaruar se ka gati tre vite që e ka potencuar se Maqedonia (e Veriut) duhet të tërhiqet nga Ballkani i Hapur pasi nuk është iniciativë e mirë…”, tha deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.

Ndërkohë Mickovski, e cilësoi këtë ngjarje si një mundësi për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në iniciativë.

“Iniciativa rajonale krijon mundësi që e lidhin rajonin tonë me botën, dhe pikërisht kjo platformë është një shembull se si tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dorë”.

“Panairi “Wine Vision nga Open Balkan” nuk është vetëm vend ekspozimi dhe degustimi”, tha Mickoski të premten, duke shtuar se është “edhe forum për diskutim, edukim dhe bashkëpunim që do të sjellë përfitime afatgjata”.

“Jam i sigurt se suksesi i përbashkët që do të ndajmë këtu do të jetë vetëm fillimi i arritjeve edhe më të mëdha në të ardhmen”, shtoi Mickosvki.

Anëtarë të iniciativës “Ballkani Hapur”, janë Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Shqipëria.

Për kreun e ekzekutivit maqedonas, kjo është pjesëmarrja e parë në një ngjarje të “Ballkanit të Hapur”, që nga marrja e mandatit si kryeministër nga zgjedhjet e majit të këtij viti.

Vizita e Mickovskit në Beograd përfshiu takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin, Millosh Vuçeviç.

“Jam falënderues për faktin që Maqedonia e Veriut është një nga partnerët kyçë në iniciativën Ballkani i Hapur, i cili u bë simbol i bashkëpunimit të fuqishëm dhe lidhjes së Ballkanit Perëndimor”, thuhet në profilin zyrtar në Instagram të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Më herët, Mickovski kishte deklaruar se nisma ka shumë mangësi, dhe kështu si është, “nuk është e plotë”.

Mexhiti: “Ballkani i Hapur” drejt fundit

Për këtë temë, të premten foli edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar “VLEN” – pjesë e Qeverisë.

“Dalëngadalë po përmbyllet me efektin që ka pasur. Çdo iniciativë tjetër uroj të jetë gjithëpërfshirëse dhe t’i përfshijë të gjitha shtetet, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës. Vetëm të bashkuar si partnerë, shtetet ndërmjet vete mund të arrijnë prosperitet për rajonin dhe qytetarët”, tha Mexhiti për Televizionin 21.

Koalicioni “VLEN” kishte premtuar largimin e Maqedonisë së Veriut nga kjo nismë, si pjesë e platformës së tyre elektorale. Megjithatë, pjesëmarrja e kryeministrit Mickoski në aktivitetet e “Ballkanit të Hapur” ka sjellë diskutime mbi prioritetet dhe qasjen e Qeverisë aktuale ndaj kësaj iniciative.

Të njëjtën gjë, gjatë kohës së fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut, e kishte paralajmëruar edhe kandidati, Bujar Osmani nga BDI, atëkohë edhe ministër për Punë të Jashtme i Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e Osmanit erdhën pas sulmit në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

“Meqenëse tani kam më shumë informacion se çfarë ka ndodhur në Banjskë, planifikoj ta informoj Qeverinë në një seancë të mbyllur, dhe ajo do të vendosë se si do të veprohet”, kishte deklaruar Osmani, më 18 prill, gjatë kohës së fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut.

Nisma “Ballkani i Hapur”

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, e nisur më 10 tetor 2019 në Novi Sad nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, fillimisht u quajt “Mini-Schengen”.

Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Nisma u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Të gjitha vendet e Ballkanit janë pjesë e Procesit të Berlinit, nismë e ish – kancelares gjermane, Angela Merkel, që daton qysh prej vitit 2014 dhe përkrahet nga Perëndimi.

Synimi i tij është që ta rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe gradualisht t’i afrojë ato më pranë BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë