Fatjon Rupi – Barazim 0-0. Një rezultat fiks për një ndeshje pa tifozë, edhe pse janë ndeshur dy skuadrat që kryesojnë kampionatin dhe pretendojnë titullin kampion. Rastet nuk kanë munguar, por si Partizani, ashtu edhe Kukësi, nuk kanë mundur të çojnë topin në rrjetë, kështu që çdo gjë mbetet si një javë më parë për këto dy skuadra, ose të paktën deri të dielën, sepse nëse Skënderbeu mund Luftëtarin, i lë kuksianët pas dhe u afrohet të kuqve me 3 pikë. Të kuqtë e kanë shtyrë me një javë festën e titullit simbolik “kampion dimri”, ndoshta ngaqë nuk u shijonte pa tifozët e dënuar nga Disiplina.
Pa lojtarin e tij më të rrezikshëm, Jasir Asanin, Partizani e nisi ndeshje agresiv dhe sulmoi disa herë drejt portës së Frashërit, por vuajti finalizimin e dobët. Hebaj e nisi ndeshjen nga stoli, sepse trajneri Gega i besoi një fanellë titullari Kotes, që mbron më mirë. Ndoshta qëllimi kryesor i të kuqve ishte të mos e humbisnin ndeshjen. Kukësi e mori veten në fundin e pjesës së parë, madje Ethemi kishte një rast të mirë shënimi. Gjuajtjen e tij e ndali Alban Hoxha. Në pjesën e dytë Kukësi rrezikoi me brazilianin Uilliam Kordeiro, ndërsa Partizani me Hebajn, por goli mbeti vetëm një dëshirë.

Barazimi është një rezultat që kënaq më shumë Partizanin, pasi e mban Kukësin rival 5 pikë prapa. Ky është barazimi i dytë radhazi për të kuqtë, pas atij me Teutën në Durrës, kurse Kukësi është ndalur pas tri fitoreve. Vlen të theksohet fakti se për Partizanin u kthye në fushë pas një kohe të gjatë për shkak dëmtimi, sulmuesi brazilian Kardozo. Java e 17-të e Superiores vazhdon me ndeshjet e së shtunës, Laçi-Tirana dhe Flamurtari-Kamza.
Partizani-Kukësi 0-0
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Belica, Trashi, Hila. Telushi, Kote (Kardozo 85’), Mala, Mensah (Hebaj 75’), Bardhi. Trajner: Skënder Gega.
Kukësi: Frashëri, Krasniqi, Shameti, Cuculi, Maliqi (Rrumbullaku 94’), Kordeiro, Limaj, Shkodra, Çyrbja (Kalaja 86’), Ethemi, Rexhinaldo (Shpehar 93’). Trajner: Armando Cungu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje