Futboll

Gjici bën trajnerin. Demi: Ndeshje e dhjerë pa tifozë!

Pas barazimit 0-0 mes Partizanit dhe Kukësit, kanë folur drejtuesit më të lartë të dy skuadrave, presidentët Gaz Demi dhe Safet Gjici, si dhe drejtuesit teknikë Skënder Gega dhe Armando Cungu. Vëmendjen e ka marrë deklarata e presidentit të të kuqve, Demit, i cili e konsideroi të dhjerë atmosferën e krijuar nga mungesa e tifozëve në stadium.

“Nuk ishte ndeshje për ta fituar një skuadër. Barazimi është rezultat i drejtë. Ka kohë akoma për titullin. Pesë pikë diferencë? Edhe tetë po të ishim, njësoj do të ishte. Ende nuk ka përfunduar gjysma e kampionatit, por po ecim mirë. Merkaton e dinë stafi teknik dhe drejtori sportiv”. Kjo është deklarata e presidentit Demi, e publikuar në faqen zyrtare të Partizanit, ndërsa në prononcimin e shkurtër për mediet, ai tha edhe këtë shprehje: “Pa tifozë, si një ndeshje e dhjerë”.

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, dhe trajneri Armando Cungu

Kolegu i tij, Safet Gjici, është munduar të futet në çështje teknike, ndërkohë që paralajmëroi përforcime pa u mbyllur muaji dhjetor: “Donim fitoren, por nuk na deshi fati. Patjetër që do të ketë ndërhyrje në janar, por kam përshtypjen se do të nënshkruajmë me dy lojtarë që bëjnë diferencën brenda muajit dhjetor. Janë lojtarë për pozicionet që trajneri kërkon. Mbrojtja duket mirë, por kemi probleme me dëmtimet. Munguan Shafik dhe Dzaria, me të cilët mund të merrnim më shumë në këtë ndeshje transferte, ndonëse ne gjithmonë luajmë në transfertë. Jam i kënaqur edhe me barazimin, sepse jemi brenda objektivave. Duam titullin kampion”, – tha presidenti i Kukësit, Gjici.

Trajneri Skënder Gega pranoi se ndaj Kukësit u ndje mungesa e Jasir Asanit. Po ashtu, trajneri i Partizanit pohoi se skuadra e tij ka limite dhe këtë e kanë treguar dy barazimet e fundit, nga të cilët ai zgjedh këtë me Kukësin, edhe pse futbollistët nuk dhanë spektakël si në Durrës. Ndërsa Armando Cungu, trajneri i Kukësit, theksoi se nëse të tijtë nuk e fituan ndeshjen, kjo ndodhi për meritë të portierit Alban Hoxha, i cili, sipas teknikut shkodran, ishte në ditën e tij më të mirë.

Nga ndeshja e Partizani-Kukësi, 0-0. Cuculi në dyluftim me Hilën

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë