Fundjava që shkoi pothuajse nuk kishte asnjë shenjë kuqezi. Ishte një fundjavë për t’u harruar, pasi disa nga titullarët më të rëndësishëm të Kombëtares, kanë ngrohur stolin me skuadrat e tyre. Elseid Hysaj, pavarësisht se Napoli kishte dy mungesa në mbrojtje, Albiol dhe Mario Rui, sërish e ka parë ndeshjen me Kaljarin si “spektator”. Futbollisti shkodran nuk luajti asnjë minutë në këtë transfertë, ku Napoli fitoi 0-1, me gol të Milik në minutat shtesë. Dy titullarët e tjerë të Kombëtares që ngrohën stolin janë ata të Arisit, Basha dhe Mavraj. Ndaj Panetolikosit të Mihajt asnjëri prej tyre nuk ishte në fushë asnjë minutë. Mihaj nuk luajti, sepse është i dëmtuar, ndërsa kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj, dhe mesfushori Migjen Basha, qëndruan në stol. Arisi u mund 1-2.
Mbrojtësi tjetër kuqezi, Frederik Veseli, ishte titullar në humbjen 3-1 të Empolit në fushën e Fiorentinës. Ai, ashtu si dhe mbrojtësit e tjerë të Napolit, është vlerësuar me notën 5. Ishte një paraqitje e dobët e Veselit, fajtor në njërin nga golat e pësuar nga skuadra e tij. Kastrioti Dermaku ishte titullar me Kozencën në barazimi 0-0 me Beneventon, ashtu si dhe mesfushori Emanuele Ndoj, i cili luajti 90 minuta në fitoren 2-1 të Breshias ndaj Leçes. Sulmuesi Xhakomo Vrioni nuk ishte i grumbulluar me Venecian, për shkak dëmtimi.

Të vetmit legjionarë që kanë lënë gjurmë, janë Rei Manaj, Fiorin Durmishaj dhe Ergys Kaçe. Manaj shënoi me 11-metërsh golin e parë të fitores 1-2 të Albasetes në fushën e Numancias. Sulmuesi tjetër, Durmishaj, shënoi golin e nderit në humbjen 3-1 të Panioniosit ndaj Pas Janinës së Andi Lilës, titullar në këtë ndeshje. Kurse Ergys Kacce dha një asist të mrekullueshëm për golin e fitores së Panathinajkosit, të shënuar nga Makeda. Mesfushori pasoi saktë nga një distancë e largët dhe sulmuesi italian e përcolli topin në rrjetë, duke shënuar golin e vetëm në ndeshjen me Atromitosin. Pozitiv ishte edhe aktivizimi i Kristal Abazajt për 20 minuta me Anderlehtin. Lojtari shqiptar prej shumë kohësh nuk ishte pjesë e skuadrës së parë.
Mbrëmjen e sotme është radha e dy portierëve, Berishës dhe Strakoshës, të cilët do të jenë përballë njëri-tjetrit, pasi Lacio luan në fushën e Atalantës. Me siguri të dy do të jenë titullarë, ndërsa për Berat Gjimshitin ka pak gjasa ta nisë nga minuta e parë. Në mbrëmje zbret në fushë edhe Peskara e Ledian Memushajt dhe Elhan Kastratit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje