Futboll

Liverpul sfidon Bajern në Champions, “prova” finaleje për Juven

Liverpul-Bajern Mynih është pa dyshim përplasja më e fortë që goglat kanë përcaktuar në raundin e radhës në Champion League. Shorti i hedhur sot në Nion ka përcaktuar çiftet e fazës së 1/8-ve në kompeticionin më të rëndësishëm europian të klubeve, finalja e të cilit zhvillohet në Madrid këtë herë. Një tjetër përplasje mjaft interesante është ajo me Atletikos së Madridit dhe Juventusit. Përballë skuadrës së Simeones, Ronaldo me shokë nuk do ta kenë aspak të lehtë, aq më tepër që finalja luhet në stadiumin e Atletikos dhe “Los Colchoneros” do të bëjnë gjithçka për të shkuar deri në fund të garës. Për Juventusin do të jetë edhe një “provë” për finalen e kompeticionit.

Çiftet e dala nga shorti në Nion

Një short me fat për kampionët në fuqi të Real Madridit, që do të ndeshet me Ajaksin. Me shans edhe Barcelona dhe Mançester Siti, që do të ndeshen përkatësisht me Lionin dhe Shalken. Edhe Roma ka mundësi të mëdha për të kaluar më tej, teksa do të luajë përballë portugezëve të Portos. Përplasje më të ekuilibruara janë ato mes Totenhemi dhe Borusias së Dortmundit dhe Mançester Junajtid ndaj PSG-së.

Ndeshjet e para do të luhen në datat 12, 13, 19 dhe 20 shkurt, kurse ndeshjet e kthimit në datat 5, 6, 12 dhe 13 mars. Skuadrat që u kualifikuan nga grupet për në fazën e 1/8-ve ishin të ndara në dy vazo:
Vazo e parë
Barcelona, Juventus, Mançester Siti, Real Madrid, Bajern Mynih, PSG, Borusia Dortmund, Porto.
Vazo e dytë
Atletiko Madrid, Liverpul, Roma, Totenhem, Mançester Junajtid, Ajaks, Shalke 04, Lion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë