Lajme

Shkarkohet gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatos Qato

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatos Qato. Ai ishte kandidat për anëtar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Qato doli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’iu nënshtruar procesit vettingut të premten, më 14 dhjetor.
Sipas KPK-së gjyqtari ka probleme me pasurinë. Gjyqtari rezulton se ka një apartament 144 m2 në Tiranë, blerë në vitin 1997 për 28 mijë dollarë, ndërkohë që është bashkëpronar në këtë pronë. Apartamenti është hipotekuar 20 vite më vonë, në vitin 2017.
KPK ka konstatuar se subjekti nuk kishte depozituar dokumentacion për të ardhurat e tij dhe bashkëshortes për vitet 1993-1997. Sipas tij, gjyqtari ka deklaruar si burim të ardhurash nga kursime familjare si dhe ndihmëse nga prindërit, por ka mungesë të burimeve financiare për blerjen e apartamentit në pronësi të bashkëshortes, përfituar në vitin 2005 me kontratë dhurimi, pjesë 50 %.   

Sipas KPK-së subjekti i kontrollit ka pohuar se nuk e ka përfshirë në deklarimin e vitit 2003 ndihmën e dhënë nga prindërit e bashkëshortes, pasi e kishte për herë të parë dhe nuk e kishte të qartë si ta plotësonte. Ai ka deklaruar edhe një llogari rrjedhëse në emër të bashkëshortes 7 mijë euro, pjesë takuese 50% dhe një automjet “Renault” blerë për 28 mijë e 500 euro. Në të njëjtin vit bashkëshortja e Qatos ka blerë një tokë arë në Pogradec për 108 mijë lekë, por sipas KPK-së, rezulton se çmimi për tokën arë ishte 264 mijë lekë.
Komisioni deklaroi se po në këtë vit gjyqtari ka kryer shpenzime si likuidimi i një qiraje financiare për një mjet tjetër, likuidimi i kontratës së mjetit “Renault”, shpenzime për shkollimin e djalit, shpenzime për udhëtime jashtë shtetit (konfirmuar nga sistemi TIMS), duke rezultuar me rreth 2 milionë lekë shpenzime, të pamundura për t’u mbuluar me të ardhurat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë