Lajme

Kaos në Greqi, dhuna barbare ndaj një arbitri ndal kampionatin

Kampionati grek në kaos total. Klasa arbitrare ka vendosur të protestojë, që të tjerët të kuptojnë se pavarësisht gabimeve, arbitrat janë pjesë e garës. Ata janë njerëz dhe mund të gabojnë, por nuk mund të dhunohen barabarisht dhe aq më tepër jashtë terrenit të lojës.

Nuk ka arbitra për këtë fundjavë dhe rrjedhimisht nuk ka edhe futboll në Greqi. Nëse nuk ka rregulla, është e pamundur të luash. Ndoshta është ky mesazhi që arbitrat grekë kanë dashur të transmetojnë te të tjerët me protestën e tyre. Situata ka shkuar në këtë pikë, pas rrahjes barabare të arbitrit Thanasis Tzilos, i cili ka arbitruar së fundi ndeshjen Olimpiakos-Ksanthi, e zhvilluar më 9 dhjetor. Një ndeshje e komplikuar, me 8 kartonë të verdhë dhe 1 karton të kuq kundër skuadrës nga Pireu. Një arbitrim që duket se dikujt nuk i ka pëlqyer dhe ka vendosur të marrë hak.

Thanasis Tzilos, arbitri i dhunuar gjatë një ndeshjeje

Për pasojë, Tzilos ka përfunduar në spital me trauma në këmbë dhe në kokë. Një lajm që ka trazuar gjithë futbollin grek, që nuk hera e parë që merr vëmendjen për të tilla ngjarje. I famshëm u bë pak kohë më parë presidenti i PAOK-ut, i cili hyri në fushë me pistoletë, ndërsa tre vjet më parë kampionati u ndërpre dhe u desh që të merreshin arbitra nga jashtë vendit. Këtë herë arbitrat kanë reaguar fuqishëm dhe kanë vendosur të mos gjykojnë deri në një vendim të dytë. “Në shenjë proteste, ndalim aktivitetin tonë deri në një moment të dytë. Shprehim indinjatën për sulmin ndaj kolegut tonë Thanasis Tzilos dhe ndaj sulmeve të vazhdueshme kundër arbitrave. Nuk mund të lejojmë që këta persona të na terrorizojnë”, – thuhej në komunikatën e arbitrave grekë.

Klubi i Olimpiakosit është distancuar nga ngjarja e shëmtuar: “Futbolli grek ka arritur në një nivel shumë të ulët” – ishte qëndrimi i këtij klubi. Kurse klubi i Panathinaikosit ka shigjetuar rivalët me fjalinë: ”Mafia jeton dhe mbretëron në futbollin grek”. Kampionati për këtë fundjavë nuk do të zhvillohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë