Politike

Berisha në Parlament: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri

Në seancën e posaçme plenare për draftin e Partisë Demokratike për vettingun në politikë, ish-kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim me tone të ashpra. Ndërsa akuzoi më herët deputetët e maxhorancës për lidhje me krimin e organizuar, duke i quajtur disa skllevër e disa bosë të tij, Berisha i ka bërë apel maxhorancës të miratojë amendamentet për vettingun në politikë, ndryshe u shpreh se në rrugët e qytetit do ushtojë: “O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”.

“Palo burra, palo kriminelë.., pse ju nuk pranoni amendamentin? Pranoni dhe të ulemi mes nesh të marrim dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe ta bëjmë model për mbarë rajonin, por ju nuk e donin. Ose miratoni amendamentin ose përndryshe në rrugët e qytetit do ushtojë: ‘O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri’”, u shpreh Berisha në foltoren e Kuvendit.
Ndërkohë, kryeparlamentari Ruçi e ka konsideruar të papranueshme këtë fjalor.
“Zoti Berisha është e dyta herë që përmendi emrin e partizanëve legjendarë, e rilindësve, por e përdorë nga një ish-kryeministër dhe ish-president, sigurisht është e papranueshme dhe duhet të distancohen të gjitha grupet parlamentare”, u shpreh Ruçi.
Ndërsa Taulant Balla e ka quajtur këtë thirrje të Berishës antikushtetuese.
“Kjo është thirrje antikushtetuese, e këto janë të jashtëligjshme e kur këto bëhen në foltoren e Kuvendit, që bëjnë thirrje për rrëzimin kushtetues. PS kërkon dhjetë minuta pushim për të diskutuar me grupin parlamentar nëse do të kërkojmë përjashtimin e Berishës”, u shpreh Balla. Me rifillimin e seancës u njoftua se kërkesa për përjashtimin e Berishës iu nis Byrosë së Parlamentit.
Ndërkohë, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, e ka quajtur qesharak vettingun në politikë dhe ka deklaruar votën e tij kundër, ndërsa i ka bërë apel opozitës të merren me studentët, pasi nuk janë kundërshtarë, por shpëtimi. “Lëvizja studentore është një paralajmërim serioz për politikën që filloi me lëvizjen studentore, është rritur numri i njerëzve që nuk dinë t’i shpjegojnë dallimet mes nesh. Dje u hodhën vezë në emër të studentëve, me shumë dinjitet kanë qenë studentët që janë distancuar nga çdo akt dhune, çdo gjë që ka një fillim e ka një fund, nëse kjo lëvizje po na kujton këtë kjo kërkon reflektim dhe jo bërjen e trimit në Kuvend. Vettingu i politikës është vazhdim i kapitullit depersonalizues dhe fyes, politikani duhet të provojë se nuk është i lidhur me krimin, mbi bazën e kësaj logjike shpëton vetëm ai që sjell prova”, deklaroi Majko.


Ndërkohë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Rama, duke e quajtur të droguar dhe peng të mallit që i shesin të tjerët.

“Si mund të pranojë Edi Rama vettingun në politikë, ku miliarda lekë që u vidhen shqiptarëve, nuk dihet ky shkojnë. Si mund të pranojë Edi Rama vettingun në politikë, kur ai është gijotina e parë e SPAK-ut dhe BKH-së, – tha Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit. – Një kryeministër që drogohet është dhe një shpërndarës. Varet se çfarë malli shet! Rama është peng i mallit që e shet. Ai merr vesh vetëm nga psikopatia”, u shpreh Kryemadhi.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, sa i përket vettingut në politikë hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se u ka hapur dyert e institucioneve kriminelëve.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Bylykbashi tha se me amendamentet e propozuara prej opozitës mbyllet hapësira për të anashkaluar ligjin për dekriminalizimin.
“Futja e mekanizmit të vettingut është legjitim dhe Komisioni i Venecias ka dhënë dritën jeshile. Për dritën jeshile nuk mund të keni diskutim. Komisioni i Venecias udhëzon fare qartë se çfarë duhet bërë. Nuk mund t’u bëhet vetting vetëm gjyqtarëve dhe ju të bëni çfarë të doni. Pra, Komisioni i Venecias është shumë i qartë. Ju nuk doni ta dëgjoni. Me amendamentet e propozuara mbyllet hapësira, me të cilën ju menduat se mund të anashkaloni ligjin për dekriminalizimin. E keqja më e madhe janë drejtuesit e grupit parlamentar, me në krye Edi Ramën që i hapi portën nga brenda institucioneve demokratike, duke u lejuar kriminelëve të penetrojnë. Sepse Rama e ka dizenjuar këtë plan për t’i futur brenda. Ata i sjellin votat”, shprehet Bylykbashi.
Komisioni i Venecias në datë 15 dhjetor miratoi opinionin përfundimtar sa i takon interpretimit që kërkoi Kuvendi i Shqipërisë nëse propozimi i opozitës për Vettingun në politikë ishte apo jo në përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me parimet kushtetuese.
Venecia deklaroi se varianti i propozuar nga PD dhe LSI ka probleme të konsiderueshme sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut si dhe ky draft është problematik, pasi mund të përdoret në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme politike dhe mbi të gjitha nuk është e qartë se kush është autoriteti që do të bëjë kontrollin e politikanëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë