Fatjon Rupi – Futbolli shqiptar, me skemën e ndarjes së kategorive në vitet e fundit, shpesh ka më shumë garë në Kategorinë e Parë se në Superiore. Janë dy grupe me nga 10 skuadra, shumë prej tyre me traditë në futbollin kombëtar dhe që përfaqësojnë qytete të mëdha, siç janë Elbasani, Lushnja, Fieri, Berati, Lezha etj.

Për më tepër, në këtë kategori ka pasur vizitorë të pazakontë, si Tirana sezonin e shkuar dhe Vllaznia aktualisht. Masiviteti i jep bukuri kampionatit të Kategorisë së Parë, pavarësisht problematikave që ka si gjithë futbolli ynë në tërësi. 20 skuadrat janë ndarë 10 në Grupin A ose Grupin e Veriut, dhe 10 në Grupin B ose Grupin e Jugut. Nga çdo grup ngjitet në Superiore vetëm skuadra e parë, një skemë vrastare, sepse ndodh që një skuadër të bëjë një kampionat shumë të mirë, por për arsye të ndryshme përfundon në vend të dytë dhe nuk ka as shansin e “play-off”-it për të qenë në elitë. Kampionati zhvillohet në 3 faza dhe pas fazës së dytë skuadrave u përgjysmohen pikët dhe nis një kampionat i ri mes atyre të pjesës së sipërme të renditjes dhe një tjetër kampionat mes atyre të pjesës së poshtme. Skuadra e fundit bie direkt një kategori më poshtë, kurse skuadra e parafundit luan ndeshje shtesë me një kundërshtar nga Kategoria e Dytë.
Duke pasur parasysh këtë skemë, skuadrat e mëdha të Kategorisë së Parë i marrin mirë masat. Tirana nuk e vuri në diskutim kthimin në elitë dhe të njëjtën gjë po bën edhe Vllaznia në Grupin A, që pas 14 javësh kryeson bindshëm me 35 pikë, me vetëm një humbje. Erzeni, rivali i saj më i afërt, është 7 pikë pas, ndërsa Dinamo, që konsiderohej pretendente, ashtu si dhe Besëlidhja, qëndrojnë edhe më prapa, duke i prerë shpresat e Superiores që tani, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshe nga faza e dytë. Shkodranët, të drejtuar nga trajneri Hasan Lika, po ecin të sigurt drejt elitës, nuk ka diskutim, por ajo që u intereson tifozëve në qytetin verior ka të bëjë me atë se çfarë do të bëjë Vllaznia në Superiore, do të jetë serioze apo do të lëngojë si vitet e fundit.

Në Grupin B ka më shumë rivalitet. Bylisi, një ekip që ngjitet dhe zbret shpesh nga elita, mban vendin e parë me 30 pikë pas 14 ndeshjesh, i ndjekur nga Besa, me 26 pikë. Mes këtyre dy skuadrave do të diskutohet Superiorja deri në fund, edhe pse aty pranë janë Egnatia dhe Pogradeci.

Skuadra me emër në futbollin tonë si Lushnja, Apolonia dhe Tomori, nuk kanë pretendime për elitën në këtë kampionat, duke njohur forcën e tyre, ndërkohë që më dramatike është gjendja e Elbasanit, dy herë kampion i Superiores. Elbasani mban vendin e parafundit, me vetëm 10 pikë dhe rrezikon seriozisht të bjerë në Kategorinë e Dytë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje