Lajme

Kryepeshkopi Anastas: Krishtlindja, kundër virusit të pasigurisë

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes.
Ai uron Krishtlindje të bekuara dhe një Vit të Ri të mbushur plot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës.
“E kremtja e Krishtlindjes vjen të ofrojë antidotin e efektshëm. Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit”, uroi Janullatos.
Kryepeshkopi shprehet se shoqëria e sotme është e mbytur nga pasiguritë dhe njerëzit gjejnë mënyra të ndryshe për të fituar sigurinë.
“Një pasiguri e përgjithshme është përhapur si re pluhuri bërthamor në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje. Shumë përpiqen të përballen me të duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik dhe ekonomik. Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare me origjinë aziatike. Me mënyra të shumëllojta njerëzit synojnë të fitojnë siguri.
E kremtja e Krishtlindjes vjen që të na ofrojë antidotin e efektshëm kundër virusit të pasigurisë, të rigjallërojë në mendjen dhe në ndërgjegjen tonë një të vërtetë që shpesh harrohet se “Perëndia është me ne”. Pikërisht ky është kuptimi i emrit të Shpëtimtarit që po vjen: ‘Emanuel’. Fjala e Perëndisë ‘u bë mish dhe banoi ndër ne’ (Jn. 1:14)”, uron kryepeshkopi.
Anastas thekson se nxënësi konsekuent i Krishtin kontribuon në kohezionin e sigurt social.
“Marrëdhënia me Krishtin, esencialisht, është marrëdhënie dashurie, e cila formon një mënyrë jetese për të gjithë. Jisui e përcaktoi para Pësimit të Tij: “Ai që ka porositë e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; dhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; dhe unë do ta dua, dhe do të tregoj veten time tek ai” (Jn. 14:21). Të mira janë shprehjet e jashtme të shpresëtarisë dhe të adhurimit, por pasja e një marrëdhënieje esenciale dashurie me Krishtin, do të thotë që të bëhemi të njëtrajtshëm me llojin e dashurisë, që Ai e zbuloi me fjalën, jetën dhe sakrificën e Tij. Shën Joan Gojarti, duke komentuar himnin e apostull Pavlit “cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” (Rom. 8:31-39), e përfundon duke thënë me guximin e tij të njohur: “Kjo është gjëja më e madhe nga të gjitha, ta kesh Krishtin edhe personin që ti e dashuron, edhe atë që të do ty”.
Nxënësi konsekuent i Krishtit nuk kufizohet duke u marrë vetëm me veten e tij. Paralelisht, ai ndien detyrimin të luftojë për drejtësinë, të vërtetën, pajtimin dhe paqen në ambientin e tij të ngushtë dhe më gjerë, duke kontribuuar në kohezionin e sigurt social. Nuk kufizohet vetëm në detyrat e jashtme fetare. Nuk harron se, “të bësh drejtësi dhe të jesh i vërtetë, është më e pëlqyer për Perëndinë sesa blatimet me gjak” (Fjalët e Urta 21:3). Të gjithë e dimë se tronditja dhe pasiguria që helmojnë shoqërinë, mbahen në këmbë nga korrupsioni shumëformësh, të cilin e ushqejnë gënjeshtra, lakmia, egocentrizmi, arroganca. Pikërisht këto erdhi t’i përmbysë me praninë e Tij, Biri i bërë njeri dhe Fjala e Perëndisë. Bashkërendimi ynë me parimet që Ai përcaktoi, përbën garancinë më të madhe për sigurinë e jetës sonë dhe, më gjerë, të shoqërisë”, shprehet Janullatos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë