Pas vendosjes së taksave ndaj mallrave serbe, krijimit të ushtrisë dhe debateve kombëtare e ndërkombëtare mbi mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë, askush nuk priste që Kosova të bënte përgatitjet për fazën finale të bisedimeve.
Pa kaluar endë një javë nga letra e presidentit Donald Trump, qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për detyrat, dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Beogradin zyrtar.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbledhur ministrat për të përcaktuar përgjegjësitë e këtij delegacioni, pjese e së cilës do të jenë lideri i Nismës , Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, pasi miratimi i këtij delegacioni ishte një nga pesë kushtet që ai vendosi për votimin e buxhetit të vitit 2019.
Përpara se të nisnin spekulimet, Haradinaj ka nxituar të përcaktonte se miratimi i ligjit për bisedimet nuk ndërhyn në kompetencat që ka presidenti Hashim Thaçi në dialog. “Ligji nuk ndërhyn në kompetencat e presidentit dhe i jep bazë ligjore funksionimit të delegacionit”, ka bërë të ditur ai.

Miratimi i delegacionit vjen pasi kryeministri dhe presidenti janë përplasur ashpër përgjatë muajve të fundit mbi arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. Thaçi dhe Vuçiç duket se ranë fillimisht dakort për një shkëmbim territoresh, por kjo tezë u kundërshtua hapur nga Haradinaj, i cili paralajmëroi madje se kufijtë e Kosovës do të ndryshonin vetëm me pushkë. Ai deklaroi madje se do të kufizonte kompetencat e presidentit Thaçi, duke e paralajmëruar të mos fliste në emër të Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Por kryeministri duket se po mban tanimë një qëndrim me elastik, duke deklaruar se me anë të ligjit do të përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse në procesin e dialogut me Serbinë.
“Ligji rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes tjerash, ligji përcakton qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mban me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës”, shtoi kryeministri.
Sipas Prishtinës zyrtare, synimet janë që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të ishte ligjërisht e detyrueshme për të dyja vendet, me anë të së cilës Kosova do të siguronte edhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, platforma, ligji dhe ekipi negociator që pritet të marrin edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës, nuk e kanë mbështetjen e dy partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Hashim Thaçi dhe Ramush Raradinaj
Në një konferencë, deputeti Rexhep Selimi ka bërë të ditur se Vetëvendosja është kundër dialogut me Serbinë, pa marrë parasysh thirrjet e ndërkombëtarëve për unifikim.
“Kemi përmendur 4 hapat tanë për mënyrën se si duhet të dialogohet. Vetëvendosja mban qëndrimin e saj në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës. Përderisa vazhdon kjo gjendje me Serbinë ne nuk e ndërrojmë qëndrimin, edhe pse i mirëpresim këshillat e miqve ndërkombëtarë, deklaroi Selimi.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij mbështet procesin e dialogut, për aq kohë sa në këto bisedime nuk përfshihet tema e kufijve.
“LDK vlerëson se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa cënuar pavarësinë e Kosovës, të përcaktuar me deklaratën e pavarësisë. As kufijtë, integriteti territorial, nuk mund të jenë temë e dialogut me Serbinë”, tha Mustafa.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011, dhe duket se bëri përparim këtë verë pas takimeve mes Thaçit dhe Vuçiç. Por taksat për produktet serbe duket se krijuar një barrierë të jashtëzakonshme mes presidentit Hashim Thaçi dhe kreut serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Hashim Thaçi dhe kreu serb, Aleksandër Vuçiç
Dy udhëheqësit pritej të konfirmonin gatishmërinë e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare, por krijimi i ushtrisë së Kosovës duket se ka acaruar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, ka paralajmëruar se krijimi i ushtrisë së Kosovës, paraqet kërcënimin më të madh ndaj paqes rajonale në Ballkan dhe ka shtuar se pas këtij hapi është vështirë të flitet për bisedime.
Ajo ka përsëritur edhe njëherë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe hedhur poshtë të gjitha planet për një kompromis mes dy palëve, i cili siç u përfol këtë verë, mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.
Duke e konsideruar këtë vendim si një “provokim të vazhdueshëm”, Beogradi zyrtar thotë se lëvizjet e Prishtinës do të rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe se nuk mund t’i lënë zgjidhje tjetër, përveçse të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë për të mbrojtur serbët.
As në Prishtinë fryma për bisedime nuk ka qenë pozitive, pasi kryeministri Haradinaj ka paralajmëruar se nuk do të heqë taksat ndaj mallrave serbe derisa Beogradi të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Por si duket pas letrës së presidentit Donald Trump ku i kërkonte Kosovës të arrinte një marrëveshje “historike” me Serbinë, qëndrimi i Prishtinës zyrtare ka të ngjarë të “zbutet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje