Futboll

17 sekretet e Mario Manxhukiç, luftëtarit të rrallë të Juventusit

I përkëdheluri i trajnerit Masimiliano Alegri, shpesh i ngrysur dhe në simbiozë me CR7. Mario Manxhukiç, numri 17, vendimtar në javën e 17-të dhe jo vetëm. Mario Manxhukiç, një kampion i kompletuar dhe shpesh i nënvlerësuar. Te ky Juventus fenomenesh ka të paktën 17 arsye pse kroati është një fat i madh për skuadrën dhe një imazh i saj. Ja çfarë e dallon nga të tjerët:

1 “Feeling” me Alegrin. Trajneri i Juventusit do të thotë se ai është “i jashtëzakonshëm”, “fizik”, “altruist” dhe shumë veçori të tjera, por, nëse do t’i kërkoni Alegrit arsyen e vërtetë pse Mario është i përkëdheluri i tij, do të përgjigjet: është një lojtar teknik. Me kalimin e kohës Alegri ka mësuar të administrojë një karakter si një letër smerili. Edhe për këtë fakt, kroati ka vendosur të hedhë rrënjë në Torino dhe është gati për rinovimin.
2 Shakaxhiu i turpshëm. “Të marrim Marion të flasë? Jo, sepse do të dilte një skenë memece”, – bënte shaka Andrea Anjeli gjatë festës së fundvitit. Jo vetëm që nuk flet, por ai nuk do që të shqetësohet nga të tjerët. Në jetën private me Ivanën është shumë serioz, kurse me shokët është shakaxhi. “Viktima” e tij e preferuar për shaka, stërkëmbësha dhe lojëra, ka qenë gjithmonë Asamoah.

Mario Manxhukiç feston një gol me mënyrën e tij

3 “Mr.No Good”. Gola, vrap dhe gjithçka “good”. Por prej kohësh Mario për tifozët është “Mr.No Good”. Sulmuesin e ashpër shokët provojnë shpesh ta zbusin, por ai nuk ndryshon. Kurse ajo që kroati bën në fushë është për të zbutur mbrojtësit kundërshtarë.
4 Një gjobë. Kur luante për Volfsburgun, Feliks Magat, trajneri i njohur gjerman dhe një njeri shumë i ashpër, e gjobiti Marion, sepse nuk kthehej sa duhej në mbrojtje. Nuk është shaka, ajo gjobë prej 10 mijë eurosh ka krijuar një kampion të rrallë.

Mario Manxhukiç me fanellën e Volfburgut

5 Rebelimi. Nga ajo gjobë ka ndryshuar gjithçka, mjafton ta shohësh çfarë mushkërish ka tani. Është çështje mentaliteti. Mario ka ditur gjithmonë t’i rregullojë defektet gjatë karrierës së tij dhe tani e rebelon fakti që Juventusi të jetë pronë ekskluzive e Kristiano Ronaldos.
6 Shtylla e dytë. Manxhukiç shfaqet pas shpine si një vrasës. Fshihet në hije dhe befas del në shtyllën e dytë dhe terrorizon mbrojtësin e krahut që ka turnin. Kroati nuk fal në këtë pjesë dhe më mirë se kushdo tjetër e dinë Mario Rui, Asamoah, Rodriguez dhe Santon. Ata mund të japin konfirmimin.

Mario Manxhukiç në një dyluftim ajror gjatë ndeshjes me Romën

7 Topat inaktivë. Një gjigant mes gjigantësh. Kërcen më shumë se të gjithë dhe e shfrytëzon më së miri fizikun e tij të fortë. Në goditjet e këndit të Juventusit është një qendërsulmues, në goditjet e këndit të rivalëve i ngjan më shumë Kielinit. Në të dy rastet, shpesh është ai që fiton.
8 Në mbrojtje. “Ka shënuar, i ka munduar të gjithë dhe ka bërë edhe mbrojtësin e qendrës.” Janë fjalë të Di Françeskos, trajnerit të Romës, për sulmuesin kroat. Në fund të fundit, çdo trajner do ta kërkonte një sulmues të tillë.
9 Me shirit. Një lider nuk ka nevojë për grada, ai ushqehet në heshtje, siç bën gjithmonë Mario. Megjithatë, shiriti i kapitenit në krah në disa ndeshje është një simbol i fuqisë së sulmuesit të Juventusit.
10 Në kaos. Në “kaosin kreativ” të Alegrit e gjen kudo: në krahun e djathtë, në qendër dhe në krahun e majtë. Gjithmonë me të njëjtin rendiment. Që kur transformimi është bërë kërkesë në futboll, Mario shfaqet gjithmonë si një “këngëtar roku”.
11 Gola të rëndë. Sa më e njohur është skena, aq më i rrezikuar është kundërshtari, sepse Marios i krijon një gjendje të veçantë shpirtërore emri i madh i ekipit rival. Këtë vit ai “fle” në makthet e shumë trajnerëve, siç janë Ançeloti, Gatuzo, Spaleti, Di Françesko e të tjerë.

Mario Manxhukiç dhe Kristiano Ronaldo

12 I ekzaltuar nga CR7. Nuk e ka lënë mënjanë ardhja e Kristiano Ronaldos. Përkundrazi, ardhja e “alienit” i ka sjellë rininë e dytë sulmuesit kroat. Manxhukiç shënon rregullisht dhe është normale, sepse nëse mbrojtësit e qendrës markojnë më të rrezikshmin, e lënë Marion nën shoqërinë e mbrojtësit të krahut. Sigurisht që nuk është një ide e mirë.
13 Tatuazhe luftëtari. Në trupin e tij të mbushur me tatuazhe gjen gjithçka: zaret, lutje në gjuhën kroate, shenja e horoskopit dhe sigurisht një top. Ekspertët e tatuazheve evidentojnë sidomos kryqin në krah. Nuk ka një qendërsulmues më të gatshëm për të bërë sakrificë se kroati.

Mario Manxhukiç dhe qeni i tij Leni


14 Komandon Leni. Shtëpia e Manxhukiçit ndodhet në një kodër, pranë kështjellës së Monkalierit. Këtu “i zoti” i shtëpisë nuk është Mario, por Leni, qeni i tij simpatik që ka mbushur 10 vjeç dhe e ka festuar ditëlindjen me një tortë të madhe. Për ta pasur të qartë situatën: nëse Lenit nuk i pëlqen ndonjë mik, ai nuk ka për të shkelur më në atë shtëpi.
15 Sytë e Kroacisë. Mario Manxhukiç u tërhoq nga Kroacia me një letër të gjatë dhe mallëngjyese. “Kroacia ka qenë krenaria ime më e madhe”, – ishte titulli i kësaj letre. Deri në botërorin e Rusisë, ku ai ishte fenomenal me golat e tij dhe autogolin në finale, ishte lojtari që identifikonte kombëtaren kroate.

Mario Manxhukiç me fanellën e Kroacisë

16 Juvetusi, kombëtarja e tij. Lamtumira nga kombëtarja e Kroacisë ka ardhur për dashurinë që ai ka për Juventusin dhe Torinon. Në moshën 32-vjeçare ai e pa të udhës të përqendrohet te klubi i tij dhe të shpenzojë çdo gram energjie për sfidën e fundit: një Champions League me Juven.
17 Simbiozë me tifozët. “Mes njerëzve dallohen luftëtarët”, – shkruanin ultrasit e Juventusit një vit më parë, me një koreografi gjigante për Manxhukiç. Tifozët e Juventusit nuk kanë bërë kurrë një koreografi për një person të vetëm, ndaj dhe ajo për Marion ka qenë unike, sepse dhe numri 17 është unik.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë