Fatjon Rupi– Futbolli shqiptar periudhën e fundit është familjarizuar, ndoshta edhe imunizuar, me shumë fenomene negative. Është i detyruar të jetojë bashkë me to, nuk ka zgjidhje tjetër. Futbolli ynë jeton në informalitet, pavarësisht përpjekjeve, e fundit krijimi i Ligës Profesioniste, për të vënë sadopak rregull.
Një nga problemet kryesore dhe që kuptohet që ka ndikim direkt në atë çfarë skuadrat japin në fushë, është ai financiar. Dihet publikisht, klubet tona janë gjithmonë në borxh me futbollistët, të cilët kanë firmosur një kontratë të rregullt ligjore. Një kontratë, që nuk respektohet kurrë dhe këtë gjë edhe vetë futbollistët e dinë shumë mirë, ashtu siç dinë se në të shumtën e rasteve nuk do të likuidohen 100%. Madje, ndonjëherë më efikase janë të ashtuquajturat “marrëveshje xhentëllmenësh” se kontratat. Sponsorëve-presidentë të klubeve tona nuk para u pëlqen t’ua marrësh paratë me ligj. Ata janë më babaxhanë kur i merr me të mirë…

Gjithsesi, sezoni aktual e ka bërë edhe më të ndjeshëm çështjen e rrogave të pashlyera. Nuk diskutohet që çdo klub ka rroga të padhëna, problemi është sa rroga janë pa dhënë. Dhe kur mendon që një futbollist mund të ketë deri në pesë rroga pa marrë, pra që nga nisja e sezonit, atëherë situata është vërtet dramatike dhe e pashpresë për futbollin tonë. Është një problem i përgjithshëm dhe futbollistët gjithmonë janë mes dilemës së lëvizjes nga klubi aktual, por nuk kanë ku të shkojnë, sepse mund të bien nga shiu në breshër. Sa më shumë rroga të prapambetura të jenë, aq më shumë futbollistët bëjnë “aktorin” në fushë.

Gazeta Si mëson nga burime konfidenciale pranë klubeve të Superiores se janë disa muaj të pashlyer për futbollistët. Te Tirana, për shembull, deri pak ditë më parë, rroga e fundit e dhënë ishte ajo e shtatorit, madje edhe ajo është dhënë përgjysmë. Futbollistët nuk kanë marrë tetorin dhe nëntorin, ndërkohë që po mbyllet edhe dhjetori, por ata nuk kanë “gojë” të kërkojnë, pasi kanë zhgënjyer në rezultate. Kuptohet që është diçka e papranueshme, sepse pagesat duhet të jenë korrekte, pavarësisht rezultateve, por në Shqipëri funksionon ndryshe.
Disa rroga pa marrë kanë edhe futbollistët e Flamurtarit, që është një çështje me vete. Administratori i këtij klubi, Sinan Idrizi, këmbëngul në krijimin e ligjit për sportin, në mënyrë që gjithçka të funksionojë sipas rregullave dhe çdo investim i tij të jetë i njohur. Po ashtu, ai ka edhe një konflikt të hershëm me bashkinë e Vlorës, për shkak të shlyerjes së disa detyrimeve të prapambetura nga vitet e mëparshme, kur Idrizi nuk ka qenë në krye të klubit. Idrizi ka kohë që insiston për privatizimin e klubit dhe në kushtet aktuale, kur ai ka statusin e një sponsori, e “pësojnë” futbollistët.

Paradoksale është situata në Gjirokastër, ku klubi shpërndahu pak ditë më parë një gjysmë rroge dhe çuditërisht një shpërblim për barazimin me Partizanin, ndërkohë që ndonjë lojtar (sepse nuk janë të gjithë në të njëjtat kushte), mund të mos ishte paguar asnjëherë për këtë sezon, saktësisht që në verë, kur Luftëtari luante në Europa League. Titullarët më të rëndësishëm mund të kenë 2-3 rroga pa marrë, por skandaloze ishte situata e disa javëve më parë, kur ata u kërcënuan nga pronarët e hoteleve apo shtëpive me qira se duhej të iknin për shkak të detyrimeve të pashlyera nga klubi. E njëjta gjë edhe me pronarët e restoranteve. Ndodh vetëm në Shqipëri që një klub të japë shpërblim, kur ka disa rroga mujore pa dhënë dhe për këtë problem drejtuesit e Luftëtarit justifikoheshin me faktin se kjo gjë ndodh me të gjitha klubet e Superiores.

Në situata të ngjashme janë edhe klubet e tjera. Shpesh futbollistët, kur mbushin tre muaj pa u paguar, i drejtohen Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF për të dalë të lirë. Rrogat e pashlyera pastaj me ish-klubin bëhen një histori më vete. Ata nuk duan të prononcohen publikisht, sepse kanë frikë se i prishin punë vetes. Të gjitha këto ndodhin në Superiore dhe është e lehtë të imagjinosh çfarë ndodh në kategoritë inferiore. Veçanërisht për këtë arsye, futbolli ynë është ky që është.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje