Futboll

Goditje e fortë për Guardiolën, Liverpuli shkëputet 7 pikë

Nuk ishte një “Boxing Day” i zakonshëm në Premier League, ku klasifikimi ka pësuar ndryshime të rëndësishme në kreun e tij. Fitorja 4-0 e Liverpulit ndaj Njukasëllit ishte në logjikën e gjërave, por “revolucioni” ka ndodhur pas shpatullave të skuadrës së Jurgen Klop.

Mançester Siti i Guardiolës ka humbur 2-1 në fushën e Leiçesterit, kurse Totenhemi, pasi “masakroi” Burnemuthin 5-0, ka marrë vendin e dytë, duke parakaluar skuadrën e trajnerit spanjoll. Liverpuli udhëheq me 51 pikë, Totenhemi ka 45 dhe Mançester Siti 44, 7 më pak se kreu dhe ky është një tregues i qartë se titulli është një mision shumë i vështirë për “qytetarët”. Për të besuarit e Klop ishte gjithçka e lehtë në “Anfield”, ku miqtë paguan shtrenjë një rast të artë të humbur nga Joselu, kur rezultati ishte 0-0. Lovre, Salah, Shaqiri dhe Fabinjo shënuan katër golat e Liverpulit.

Liverpuli feston fitoren ndaj Njukasëllit

Siti ka pësuar humbjen e dytë radhazi dhe të tretën në katër ndeshje. Skuadra e Guardiolës ka marrë një goditje shumë të fortë në një ndeshje që mund ta kishte fituar. Bernardo Silva kaloi në avantazh kampionët e Anglisë, por vetëm 5 minuta më pas Albrajton barazoi, kurse Rikardo në fundin e ndeshjes shënoi golin e fitores për Leiçesterin. Totenhemi është një makineri golash. Pas 6 golave të shënuar ndaj Evertonit, shënoi 5 ndaj Burnemuthit, me autorë Eriksen, Son (2), Moura dhe kapitenin Kejn. Një fitore që e ka ngjitur këtë skuadër në vend të dytë.

Në ndeshjet e tjera, Mançester Junajtid ka bindur sërish, duke fituar 3-0 ndaj Hudersfilldit. “Djajtë” duken të rilindur pas largimit të Mourinjos, sidomos Pol Pogba, autor i dy golave në këtë fitore, ndërsa golin tjetër e shënoi Matiç. Arsenali ndërkohë ka barazuar 1-1 në fushën e Brajtonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë