Një sfidë mes shqiptarësh në Serinë B. Nga minuta e parë e nisën ndeshjen Peskara-Venecia mesfushori Ledian Memushaj dhe sulmuesi Xhakomo Vrioni, ku fati i ka buzëqeshur vlonjatit. Peskara ka fituar 1-0, me një gol të Brugman në pjesën e dytë, duke rritur shanset për kthimin në Serinë A.
Skuadra e Memushajt është ngjitur në kuotën e 29 pikëve, vetëm 2 pikë larg vendit të dytë, që mbahet nga Breshia e Emanuele Ndojt, i cili ishte protagonist të mërkurën, pasi shënoi golin e fitores në minutën e fundit. Mesfushori kuqezi, Ledian Memushaj, ka marrë një vlerësim pozitiv për paraqitjen e tij në këtë ndeshje. “I përpiktë si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe kur është nevoja për të krijuar superioritet numerik në sulm”. Ky është vlerësimi i shtypit italian për futbollistin shqiptar. Memushaj është në garë të fortë me Ndojn dhe ideale do të ishte që të dy shqiptarët të ngjiteshin me skuadrat e tyre në Serinë A, por gara është shumë e fortë.

Fjalë të mira edhe për sulmuesin e ri kuqezi, Xhakomo Vrioni, i cili luajti 67 minuta në këtë ndeshje dhe më pas u ndërrua për një problem muskulor. Sipas shtypit italian, Vrioni ishte ndër më të mirët për Venecian në humbjen ndaj Peskarës. “Një paraqitje më e mirë se në ndeshjen me Kozencën. Vë në dispoizicion të skuadrës centimatrat e tij dhe ia arrin ta nxjerrë skuadrën nga presioni në disa momente. I detyruar të dalë nga fushë për shkak dëmtimi në pjesën e dytë”, – shkruhet për futbollistin e ri.
Mund të ishin tre shqiptarët në fushë në këtë ndeshje, por portieri Elhan Kastrati i Peskarës qëndroi në stol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje