Kryeministri Edi Rama ndryshoi më shumë se gjysmën e qeverisë dhe largoi nga kabineti bashkëpunëtorët më jetëgjatë dhe më të afërt që nga dita që ka ardhur në pushtet. Ai hoqi shumë figura politike dhe pjesën më të madhe të emërimeve, e ka teknikë. Në një fjalim publik nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama tha se “furtuna” prekte së pari ata që kishin 5 vite ne karrigen e ministrit. Dhe ata ishin gjashtë që ishin pjesë e qeverisë në të dy mandatet. Rama largoi Ministrin e Financave Arben Ahmetaj, Ministrin e Infrastrukturës Damjan Gjiknuri, Ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi, Ministren e Arsimit Lindita Nikolla, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro. “Kjo protestë na ka dhënë diçka, frymën e reagimit në pakënaqësi të plotë ndaj vetes. Do veproja njësoj si studentët, përvese do pranoja dialog. Do të ishte absolutisht e pavërtetë nëse do të thuhej, ndryshimi nuk vjen si rezultat i dështimit, ndryshimi vjen si pasojë e nevojës. Të gjithë ata që kanë 5 vjet në kabinet, do ua lënë vendin të tjerëve”, u shpreh Rama, që i falënderoi të gjithë dhe madje i përmendi edhe arritjet.
Besa Shahini zëvendëson Lindita Nikollën te Ministria e Arsimit. Shahini ka mbajtur deri tani postin e zëvendësministres së Arsimit.
Po kështu Anila Denaj do të jetë ministre e re e Financave, duke zëvendësuar Arben Ahmetaj.
Genc Cakaj do të jetë ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vend të Ditmir Bushatit. Deri më tani ai ka qenë zëvendësi i Bushatit.
Drejtoresha e ANTA-s, Belinda Balluku është ministrja e re e Energjitikës dhe Infranstrukturës dhe zëvendëson Damian Gjiknurin.
Deputeti Bledi Çuçi do të jetë ministër i Bujqësisë në vend të Niko Peleshit.
Elva Margariti zëvendëson Mirela Kumbaron, në krye të Ministrisë së Kulturës. Po ashtu Rama largoi edhe Sonila Qaton dhe ministër për Sipërmarjen do të jetë deputeti Eduard Shalsi.
Ndërkohë, Erjon Braçe do të jetë zv/kryeministër në vend të Senida Mesit. Kjo është hera e parë që Braçe bëhet pjesë e qeverive të socialistëve. Po ashtu Rama rikthen edhe Ministren me Parlamentin dhe emëron deputeten Elisa Spiropali.

Asambleja Kombëtare
Ky takim i pazakontë nisi në orën 10:00. Në nisje të fjalës së tij Rama edhe sot e përsëriti se studentët ishin një shuplakë për qeverinë, por se ai zgjodhi të kthejë faqen tjetër. Ai theksoi se studentët shohin nga PS, pasi për ta është mundësia e vetme.
“Ky është një takim i pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie, në një moment të pazakontë për këtë familje, e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, Shqipërinë. Por, e pazakontë është edhe mundësia që na ka dhënë në këtë fundviti protesta e studentëve. Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare dhe në emër të besimit tek unë, tek ne. Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime turp-turp, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër”, u shpreh Rama.
“Shqipëria në tranzicion të ndërmjetëm”
Ndërkohë, kreu i qeverisë i mëshoi fort faktit se në universitete vazhdon tranzicioni dhe ky brez po vuan deformimet e sëmundjeve të tranzicionit të pafundmë.
“Ky brez është fëmija që vuan deformimet e sëmundjeve të tranzicionit të pafundmë që ne i kemi dhënë fund në shumë drejtime. I kemi dhënë fund tranzicionit në letër, tani duhet zbatimi. I kemi dhënë fund tranzicionit kur thamë stop dritat nuk vidhen më. Edhe kur kaluam ligjin e arsimit të lartë. Por dritat nuk vidhen më, ndërsa universiteti ka ligjin në letër, por jo ligjshmërinë në jetën e përditshme. Tranzicioni vazhdon. Jemi në një kohë të ndërmjetme mes tranzicionit dhe fundit të tij”, tha ndër të tjera Rama.
Qeveria uli taksat për bizneset
Kreu i qeverisë gjithashtu tregoi ndryshimet që do ndodhin duke filluar që nga 1 janari.
“Për pak hymë në vitin e ri, ku 16 mijë vetë do të paguajnë 300 mijë lekë taksa më pak në vit. Fakti është që sot puna taksohet 5.5%, ndërsa dje taksohej 10%. 11 mijë biznese do paguajnë 3 herë më pak tatim fitimi nga 1 janari. Leku s’ka qenë më i fortë se sot asnjëherë më parë në këto 5 vite. Nga 1 janari nuk ka më taksë për inputet bujqësore,” tha Rama.
Rama: Nuk kemi opozitë
Kryeministri Edi Rama ka hedhur kritika në Asamblenë e PS se mungesa e opozitës ka bërë që qeveria të ulë kapacitetin. Kritika kreu i qeverisë kishte edhe sa i takon bërjes së akteve nënligjore për Reformën në Arsimin e Lartë.
“Kemi humbur kohë për të bërë aktet nënligjore të Reformës në Arsimin e Lartë. Cili është shpjegimi për këtë? Shpjegimi është se nuk kemi opozitë, kemi mungesën e opozitës, e cila na ka mpirë një pjesë të shqisave dhe na ka ulur kapacitetet tona reaguese. Shumë kanë bërë pyetje, mua nëpër auditore: Pse tani? Që ditën e pare të këtij mandati kam këmbëngulur që vakuumi ku kemi, aty ku duhet të kishim opozitën, është kërcënimi më I madh për objektivat tanë. Boshllëku që kemi përballë është problemi më i madh për realizimin e qëllimeve tona. Ajo opozitë që kur vjen në parlamentet paraqitet si një komglomerat mushkonjash si një trup i hallakatur me gjymtyrë që tentojnë të krijojnë situatë fizike, është burimi më i madh i rreziqeve tona, sepse na krijon komfortin e të qenit e vetmja zgjidhje, rrugë, alternativë, por jo. Sa kohë do të drejtoj këtë parti s’mund të pranoj që të jemi e keqja më e vogël. Nuk mund të jetojmë për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Rama.
Rama kundër krushqve, hallave e dajave
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje socialistëve që të mos ndërhyjnë për punësime në administratë. Mesazhi i fortë i Ramës ishte se PS nuk mund të kthehet në opozitës për shkak të punësimeve të krushqve, hallave, xhajave apo dhe të afërm të tjerë të socialistëve.
“Fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër, qeveria nuk janë ministrat, qeveria e PS janë ata që na përfaqësojnë në territor. Më vjen shumë mirë dhe është një nga gjërat më të mirëseardhura të studentëve, që na u dha mundësia që me një vendim qeverie të hapim të gjithë axhendën e punës, qoftë në shërbim të tyre dhe administratës shtetërore për ata me 9-ta e 10-ta. Harrojeni përfundimisht që do ketë miq, shok, krushq, vëllezër, motra, halla, daja, krushq që do futen në administrata. PS nuk kthehet në opozitë për shkak të tyre, harrojeni, ose bëni një xhest të thjeshtë, ikni nga PS. Lërini forumet, karriget, mandate dhe thoni më rregullo mikun, por nëse keni marrë mandat përfaqësimi e keni për të gjithë familjet, për të gjithë ata që u themi vota jote është detyrim im dhe është shumë e mirëseardhur ajo që kanë kërkuar studentët dhe tronditëse ajo që është baza e besimit të tyre nuk besojnë dhe kenë të drejtën të mos besojnë se mësimet do t’u japin mundësi të hyjnë në administratë”, u shpreh Rama.

Forumi i Gruas Socialiste
Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një shuplakë të fortë Forumit të Gruas Socialiste nga Asambleja Kombëtare. Për kreun e qeverisë ky forum nuk bën asgjë dhe nuk duhen për asgjë. Sipas Ramës gratë e Forumit vetëm zihen me njëra-tjetrën dhe bëjnë sikur duhen për 8 mars. Kritika kishte të bënte me mungesën e përfshirjes në protestën e studentëve. “Forumin e gruas e dëgjoj vetëm kur ka zgjedhje që zihen gratë me njëra-tjetrën. Nuk ka nevojë. Vetëm zihen me njëra-tjetrën kur ka zgjedhje dhe bashkohen për 8 mars dhe bëjnë sikur duhen me njëra-tjetrën. Vetëm për sherr janë. Ndërkohë që gratë i kemi integruar. Për çfarë na duhen? Nuk na duhen më organizata ekskluzive, forume statike. Një parti që ka kapacitetin që jo të ndalojë një protestë, por që t’u flasë. Askush nuk shkonte t’u fliste dot, as FRESSH, as gruaja, askush. Dhe unë po të isha si studentët do bëja të njëjtën gjë. Me ndryshimin se do thosha dialog. Por nuk mund të presim më gjatë të marrim të gjitha mësimet që kemi para syve. Është një mundësi e jashtëzakonshme”.
Kryeministri Edi Rama ka treguar sot në Asamblenë Kombëtare të PS bisedën e zhvilluar me kreun e Forumit Rinor Euro Socialist Shqiptar Elio Hyska. Nuk kanë munguar kritikat e kryeministrit, i cili tha se duhet të nxirret mësim nga eksperienca.
“Kur filloi protesta e pyeta Elion: ça bën, si je? Ku i ke të tutë, më tha aty tek Kryeministria. Shumë mirë, shumë mirë, edhe FRESSH aty tek kryeministria, fëmijët tanë. Domethënie shumë e madhe. Por nga ana tjetër ka ardhur koha të nxjerrim një mësim nga eksperienca dhe studentët. Edhe ata të forumeve të doktoreshës dhe artistit nuk i donin në protestë, kishin turp.
Nuk do jetë vetëm FRESSH, do ketë dhe organizata të tjera. Duam t’u japim mundësi të rinjve të organizohen në organizata”, paralajmëroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje