Politike

Rama për Ballukun: Masë absurde, nuk akuzohet për korrupsion!

Nga Gazeta ‘Si’- Pasi PS shprehu publikisht qëndrimin kundër arrestimit të Belinda Ballukut në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri Edi Rama mori fjalën, duke thënë se ndaj saj nuk është ngritur akuza e korrupsionit apo vjedhjes.

Sipas kreut të qeverisë, akuza për shkelje të barazisë në tendera është ngritur bazuar në disa mesazhe të gjetura disa vite më vonë në telefonin e një ish zyrtari, duke iu referuar vartësit të Ballukut, Evis Berberi.

Sipas Ramës, masa e pezullimit ishte absurde sepse pezulloi funksionin dhe jo personin dhe tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në botë.

Ndërkohë shtoi se se uron që Prokuroria e Posaçme të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni.

“Ndaj saj është ngritur një akuzë, jo për vjedhje, jo për korrupsion, dhe të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në krye e një vepre të rëndë penale. Por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish ministres, ka kryer veprën penale pabarazi në tendera publikë. 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish drejtori.

Mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar asokohe, servirur më parë përmes korrierëve që hyjnë e dalin te kuzhina e stacionit të trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik e mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap nga prokurori dhe gjykatësit të seancës paraprake pezullimi i anëtares së kabinetit.

Masë absurde sepse pezulloi funksionin dhe jo thjesht personin. Nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë një budallallëk i kësaj natyre.

Më pas pa pritur fare përfundimin e procesit të hapur prej nesh në GJK, për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, sapo gjykata e pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte çështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë. Kërkesa që diskutojmë sot. E diskutojmë me të drejtën që na jep kushtetuta për të autorizuar ose jo për arrestin e një deputeti.”, tha Rama.

Ai paralajmëroi se fuqia politike (edhe pa qenë në ekzekutiv) dhe votëbesimi i qytetarëve për Belinda Ballukun do të shihet sidomos në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit.

Pasi tha që nuk do e shpallë as ‘viktimë por as ‘hero’, Rama rreshtoi disa nga arritjet e saj në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe tha se ajo ka bërë një transformim epokal në infrastukturë.

“Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel vijën e kuqe që e kam vizatuar në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, nuk kam ndërmend as që në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha në dy sektorë që ministrja ka ndjekur, pa ndaluar asnjë ditë, gjatë këtyre 6 viteve në vendin tonë janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 1 mijë km të rrjetit rrugor kombëtar!

40 kantiere janë aktualisht të hapura dhe do jenë vlerë e shtuar e Shqipërisë në BE, që nga aksi Elbasan-Rrogozhinë, te Elbasan-Qafë Thana, që po ashtu mbyllet në 2027-ën, duke i vënë në dispozicion Shqipërisë, por edhe NATO-s, Korridorin e VIII”, tha ai.

Ai përmendi përfundimin ose avancimin e disa akseve të rëndësishme, si rrugët Korçë–Ersekë, Qukës–Qafë Plloçë, Thumanë–Kashar dhe Rruga e Arbrit, të cilat sipas tij dikur konsideroheshin projekte të vështira për t’u realizuar.

Rama theksoi gjithashtu përfundimin e Unaza e Madhe e Tiranës, segmentit Maqellarë–Peshkopi dhe Ura e Kukësit, ndërsa shtoi se edhe projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë segmentet e Korridori Blu, janë aktualisht në përgatitje për nisjen e punimeve.

Sipas tij, këto investime përfaqësojnë një realitet të ri për Shqipërinë krahasuar me të kaluarën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë