Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj, u shpreh se nga mbledhja e sotme e qeverisë, është miratuar një akt nënligjor që lidhet me bastet.
Ai u shpreh se ka ende nevojë për punë kjo fushë, ndërsa theksoi se është marrë ekspertizë nga jashtë, në mënyrë që bastet të jenë sipas standardeve ndërkombëtare.
“Ministria e Financave është duke punuar me aktet nënligjore për bastet. Është edhe një akt që është miratuar sot në mbledhjen e qeverisë dhe shumë shpejt do të dalin të gjitha aktet e nevojshme në mënyrë që të mundësojmë edhe bastet online.
Kërkohet punë, është marrë ekspertizë ndërkombëtare në mënyrë që të jetë sipas standardeve ndërkombëtare“, tha Malaj.
Vendimi përcakton një sërë standardesh që lidhen me kushtet teknike dhe kërkesat minimale që duhet të plotësojnë sistemet, faqet e internetit dhe aplikacionet për bastet sportive online.
Gjithashtu, janë përcaktuar rregulla të qarta për identifikimin dhe regjistrimin e lojtarëve, me qëllim garantimin e aksesit të ligjshëm në platformat e basteve, mbrojtjen e të dhënave personale dhe parandalimin e lojërave të paligjshme.
Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit lidhet me procedurat për faturimin dhe transaksionet financiare. Sipas rregullave të reja, çdo pagesë apo transaksion që lidhet me bastet sportive online duhet të regjistrohet dhe të monitorohet në kohë reale nga organet shtetërore përkatëse.
Prej dy vitesh ligji që legjitimon këtë aktivitet nuk është funksional ndonëse në fuqi, për shkak të një ngërçi në aplikime. Aktorë të tregut i kanë bërë thirrje qeverisë të përshpejtojë rikthimin e aktivitietit, që do të sjellë të ardhura të konsiderueshme për buxhetin; para që momentalisht qarkullojnë në të zezë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje