Gazeta Si – Pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike më 22 mars 2026, policia ka arrestuar 15 persona dhe ka vënë nën hetim në gjendje të lirë 9 të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar, mes personave të shoqëruar ka pasur edhe të mitur, të cilët janë lënë të lirë pas procedurave.
Nën hetim është edhe deputeti i PD, Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.
Policia njofton se gjatë tubimit disa protestues hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe fishekzjarre ndaj institucioneve si Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës dhe zona pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhet selia e Partisë Socialiste.
Si pasojë e përplasjes me protestuesit, gjashtë efektivë policie mbetën të lënduar dhe po marrin trajtim mjekësor në spital, duke qenë jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjatë protestës u shkaktuan dëmtime në disa godina, u dogjën disa kosha mbeturinash dhe një automjet policie.
Sipas veprimeve hetimore, u identifikuan 24 persona që kryen veprime të kundërligjshme. Prej tyre, 15 u arrestuan në flagrancë, ndërsa 9 të tjerë po procedohen penalisht. Të arrestuarit janë: O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
Procedimi penal ka nisur gjithashtu për shtetasit K. M., E. H., L. M. dhe për pesë të mitur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, ku ka nisur edhe procedimi penal për deputetin demokrat Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.
Ashtu si herët e shkuara, edhe protesta e 6-të kombëtare e Partisë Demokratike, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta. Protestuesit marshuan drejt institucioneve kryesore, përfshirë Kryeministrinë, ku u hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe flakadanë.
Policia ndërhyri disa herë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje