Shendet

Ngadalësohet progresi global- 4.9 milionë fëmijë humbën jetën para moshës 5 vjeç në 2024

Rreth 4.9 milionë fëmijë vdiqën para ditëlindjes së tyre të pestë në vitin 2024, përfshirë 2.3 milionë të porsalindur, sipas vlerësimeve të reja të publikuara në raportin e ri të OKB. Shumica e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme me ndërhyrje të provuara, me kosto të ulët dhe qasje në kujdes shëndetësor cilësor.

Sipas raportit Nivelet dhe Trendet në Vdekshmërinë e Fëmijëve” vdekjet nën pesë vjeç në nivel global kanë rënë me më shumë se gjysmën që nga viti 2000. Megjithatë, që nga viti 2015, ritmi i reduktimit të vdekshmërisë së fëmijëve është ngadalësuar me më shumë se 60 për qind.

Raporti i këtij viti ofron pamjen më të qartë dhe më të detajuar deri më tani se sa fëmijë, adoleshentë dhe të rinj po vdesin, ku po vdesin dhe- për herë të parë- integron plotësisht vlerësimet mbi shkaqet e vdekjes.

Për herë të parë, raporti vlerëson vdekjet e shkaktuara drejtpërdrejt nga kequshqyerja e rëndë akute (KRA), duke zbuluar se më shumë se 100 000 fëmijë të moshës 1-59 muaj, ose 5 për qind, vdiqën prej saj në vitin 2024.

Numri është shumë më i madh kur merren në konsideratë efektet indirekte, pasi kequshqyerja dobëson imunitetin e fëmijëve dhe rrit rrezikun e tyre për të vdekur nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë.

Të dhënat e vdekshmërisë gjithashtu shpesh dështojnë të kapin KRA-në si një shkak themelor të vdekjes, duke sugjeruar se barra ka të ngjarë të nënvlerësohet ndjeshëm. Disa nga vendet me numrin më të lartë të vdekjeve të drejtpërdrejta përfshijnë Pakistanin, Somalinë dhe Sudanin.

Vdekjet e të porsalindurve përbëjnë gati gjysmën e të gjitha vdekjeve nën pesë vjeç, duke reflektuar përparim më të ngadaltë në parandalimin e vdekjeve rreth kohës së lindjes.

Shkaqet kryesore midis të porsalindurve ishin ndërlikimet nga lindja e parakohshme (36 për qind) dhe ndërlikimet gjatë lindjes (21 për qind). Infeksionet, duke përfshirë sepsën neonatale dhe anomalitë kongjenitale, ishin gjithashtu shkaqe të rëndësishme.

Përtej muajit të parë, sëmundjet infektive si malaria, diarreja dhe pneumonia ishin vrasësit kryesorë. Malaria mbeti vrasësi më i madh në këtë grupmoshë (17 për qind), me shumicën e vdekjeve që ndodhin në zonat endemike të Afrikës Sub-Sahariane.

Pas rënieve të ndjeshme midis viteve 2000 dhe 2015, progresi drejt uljes së vdekshmërisë nga malaria u ngadalësua në vitet e fundit. Vdekjet mbeten të përqendruara në një numër të vogël vendesh endemike, të tilla si Çadi, Republika Demokratike e Kongos, Nigeri dhe Nigeria, ku konflikti, goditjet klimatike, mushkonjat pushtuese, rezistenca ndaj ilaçeve dhe kërcënime të tjera biologjike vazhdojnë të ndikojnë në aksesin në parandalim dhe trajtim.

Vdekjet e fëmijëve mbeten shumë të përqendruara në një numër të vogël rajonesh. Në vitin 2024, Afrika Sub-Sahariane përbënte 58 për qind të të gjitha vdekjeve nën pesë vjeç.

Në rajon, sëmundjet kryesore infektive ishin përgjegjëse për 54 për qind të të gjitha vdekjeve nën pesë vjeç. Në Europë dhe Amerikën Veriore kjo përqindje bie në 9 për qind dhe në Australi dhe Zelandën e Re bie më tej në 6 për qind.

Këto pabarazi të mëdha pasqyrojnë akses të pabarabartë në ndërhyrje të provuara dhe shpëtimtare të jetës.

Në Azinë Jugore, e cila përbënte 25 për qind të të gjitha vdekjeve nën moshën pesë vjeç, vdekshmëria u shkaktua kryesisht nga ndërlikimet në muajin e parë të jetës, duke përfshirë lindjen e parakohshme, asfiksinë/traumën e lindjes, anomalitë kongjenitale dhe infeksionet neonatale.

Këto gjendje kryesisht të parandalueshme nënvizojnë nevojën urgjente për të investuar në kujdes cilësor para lindjes, personel të kualifikuar shëndetësor gjatë lindjes, kujdesin për të porsalindurit e vegjël dhe të sëmurë dhe shërbime thelbësore për të porsalindurit.

Raporti gjithashtu zbulon se rreth 2.1 milion fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të moshës 5-24 vjeç vdiqën në vitin 2024. Sëmundjet infektive dhe lëndimet mbeten shkaqet kryesore tek fëmijët më të vegjël, ndërsa rreziqet ndryshojnë në adoleshencë: vetëdëmtimi është shkaku kryesor i vdekjes tek vajzat e moshës 15-19 vjeç dhe lëndimet nga trafiku rrugor tek djemtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë