Është kohë merkatoje dhe emrat që qarkullojnë si përforcime të skuadrave të ndryshme janë të shumtë. Më aktivë në këtë periudhë janë klubet me pretendime madhore, si titulli kampion dhe Kupat e Europës. Kanë ardhur ditët e fundit zyrtarizimet e para, që filluan me kalimin e Eduard Rrocës nga Luftëtari te Kukësi.
Edhe Skënderbeu, ekipi kampion në fuqi, ka objektivat e veta në merkato. Korçarët janë larg vendit të parë, por duan të qëndrojnë në pozita kryesuese, duke shpresuar që KAS-i t’u japë të drejtë dhe të luajnë sërish në Europë. Me këtë ekip do të bashkohet sërish futbollisti i Kombëtares, Enis Gavazaj, kosovari që në verë kaloi në kampionatin rus, por nuk ia doli të shprehte vlerat e tij me ekipin e Jeniseit. Gavazaj nuk ishte një shitje nga ana e Skënderbeut. Marrëveshja me drejtuesit e klubit rus ishte që mesfushori-sulmues të luante këtë sezon dhe nëse do të bindte, do të blihej nga Jenisei. Ky ekip mabn vendin e fundit në kampionat, me 10 pikë.

Në gjysmën e parë të kampionatit Enis Gavazaj ka luajtur shumë pak me këtë ekip, nuk ka pasur hapësirat e nevojshme, kështu që rikthimi në Korçë duket i sigurt. E ka pohuar edhe një nga drejtuesit e lartë të klubit rus, duke thënë se Gavazaj do të kthehet tek ish-ekipi i tij. Gjatë kësaj periudhe, Jenisei i ka paguar vetëm rrogën mujore lojtarit dhe nuk ka paguar asgjë te klubi korçar. Në këtë situatë, trajneri Orges Shehi do të ketë një forcë më shumë në sulm gjatë gjysmës së dytë të kampionatit. Gavazaj ishte titullar në formacionin e korçarëve sezonin e kaluar, duke kontribuuar për fitimin e titullit kampion. Paraqitja e tij e mirë bëri që trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ta grumbullonte në disa ndeshje.
Nga Skënderbeu pritet të largohet në merkaton e dimrit mbrojtësi Fidan Aliti, destinacioni i të cilit, me shumë mundësi, është Suedia. Nga ky transferim, klubi korçar pritet të arkëtojë më shumë se 500 mijë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje