Futboll

Kukësi prezanton dy blerjet e para, Gjici mesazh Cungut

Eduard Rroca dhe Vasil Shkurtaj janë zyrtarisht lojtarë të Kukësit. Ata janë prezantuar nga presidenti i skuadrës veriore, Safet Gjici, i cili ka folur me suiperlativa për të dy. Kreu i klubit kuksian ka shpenzuar jo pak për t’ia marrë këta dy lojtarë Luftëtarit. Rreth 80 mijë euro kanë përfituar gjirokastritët nga shitja e Rrocës dhe Shkurtajt, dy nga titullarët më të rëndësishëm të tyre.

Gjatë prezantimit, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, theksoi se tashmë ai e ka bërë detyrën e tij dhe i takon trajnerit Armando Cungu dhe stafit të tij ta çojnë ekipin drejt titullit kampion. “Kemi marrë dy futbollistë që e njohin shumë mirë kampionatin shqiptar, janë dy nga më të mirët e Superiores dhe për trajnerin nuk ka më justifikime. Shkurtaj është një sulmues i rrallë për kampionatin tonë. Ne e kemi bërë detyrën tonë, çfarë ka kërkuar trajneri e kemi marrë në ekip”, – ishte mesazhi i presidentit Gjici për trajnerin Cungu.

Nga Kukësi ndërkohë ka pasur edhe disa largime nga kontigjenti i dy fazave të para. I fundit që largohet është mesfushori Donjet Shkodra, i cili nuk gjeti akordin për vazhdimin e bashkëpunimit me drejtuesit kuksianë. Pak ditë më parë nga Kukësi u larguan edhe kroati Dino Shpehar dhe pogradecari Vangjel Zguro.

Kukësi do të shkojë në Turqi për fazën përgatitore. Në këtë vend skuadra e trajnerit Armando Cungu do të luajë edhe dy ndeshje miqësore me kundërshtarë të njohur euriopianë, siç janë Bashakshehiri, që kryeson kampionatin në Turqi, dhe Rostovi, një skuadër e njohur ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë