Lajme

Protesta e zbehur, nis mësimi në disa fakultete

Protesta e studentëve duket se këtë të martë është zbehur. Një pjesë e studentëve në disa fakultete në Tiranë dhe rrethe u janë kthyer auditorëve. Deri në orën 10.30 nuk kishte studentë para Kryeministrisë.

Një student i Politeknikut rrëfen për Gazetën Si se sot nuk kanë dalë në protestë, pasi kanë nevojë të konsultohen me njëri-tjetrin.
“Nuk kemi dalë në protestë, pasi kemi nevojë të konsultohemi. Ka studentë që kanë luhatje, e janë pikërisht ata që kanë qenë të lëkundur që në fillim. Ka nga ata që nuk e kuptojnë Paktin për Universitetin, mendojnë se është zgjidhje edhe pse nuk na zgjidh gjë”, shprehet studenti.

Studentët e Politeknikut kanë zhvilluar një orë mësimi këtë të martë dhe më tej janë shpërndarë, pasi nuk ka pasur pjesëmarrje të madhe të tyre. Mësohet se në Fakultetin Juridik studentët janë futur në mësim. Studentët e fakulteteve të tjera janë të përçarë në lidhje me vijimin e mësimit apo jo.
Nuk dihet nëse do të vijojë të bëhet mësim apo studentët do të mblidhen për të protestuar. Edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës raportohet se ka nisur mësimi në disa klasa me pak studentë. Ndërkohë para kryeministrisë ka shumë pak studentë krahasuar me dje.
Të hënën vetë studentët thanë se do të protestojnë edhe të martën për plotësimin e kërkesave të tyre. Në listën me kërkesa, ata shtuan edhe pikën e nëntë, që është anulimi i Ligjit të Arsimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë