Policia e Shtetit vijon operacionet në të gjithë vendin në zbatim të planit të masave që po merren për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 4 raste dhe konkretisht në Korçë, në Tropojë, në Berat dhe në Sarandë.
Ndërkohë, 7 shtetas janë proceduar penalisht për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 tavolina të përshtatura për lojëra fati, 5 njësi kompjuterike me 5 monitorë, pajisje elektronike, një tavolinë pokeri etj., të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Në Korçë 4 shtetas janë proceduar, konkretisht shtetasit: D. P, 48 vjeç, (pronari) i lokalit, si edhe shtetasit: A. P., 51 vjeç, E. S., 43 vjeç, G. A., 41 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokal në lagjen Nr. 16, të qytetit, shtetasit e mësipërm u konstatuan duke luajtur lojëra fati.
Në Tropojë u procedua penalisht shtetasi A. H., 36 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatua një pajisje elektronike.
Në Sarandë është proceduar penalisht shtetasja L. Sh., 50 vjeçe pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të saj, janë gjetur 5 njësi kompjuterike me monitorë, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Në Berat u procedua penalisht shtetasi A. H., 32 vjeç, pasi në subjektin e tij u konstatua tavolinë pokeri.
Policia e Shtetit bën me dije se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet antiligjor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje