Pas transmetimit të videoregjistrimit në emisionin investigativ “Stop” ku gjyqtari Fierit, Roland Hysi, kërkon marrëdhënie seksuale me një grua për ti dhënë kujdestarinë e fëmijës, ka ardhur një reagim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka njoftuar sot nisjen e procedimit penal ndaj tij për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv.
Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
“Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Përveç Krimeve të Rënda, një reagim lidhur me rastin ka ardhur edhe nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, ku shprehej indinjata e thellë për implikimin e mundshëm të gjyqtarit.
“Shkeljet e rënda të etikës dhe që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe pikërisht këto ishin arsyet që kjo reformë, me të gjithë institucionet e reja të sapo ngritura, të vijojë përpara betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit”, thotë KLGJ, që falenderon të gjithë qytetarët për kontributin e tyre në bërjen publike të rasteve korruptive. KLGJ garanton opinionin publik se do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, për verifikime sa më transparente dhe profesional ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje