Lajme

Zonat e thella të bllokuara, mijëra familje pa energji elektrike

Moti i ftohtë dhe temperaturat e ulëta që kanë mbizotëruar prej tri ditësh në Shqipëri, kanë penalizuar një sërë qarqesh, ndërsa shumë shkolla nuk po zhvillojnë mësimin në zonat e thella.
Por një tjetë problem është mungesa e energjisë elektrike. Mësohet se 3299 familje në fshatrat malore të bashkive të Elbasanit, Librazhdit dhe Përrenjasit kanë mbetur pa energji.
Emergjente është situata edhe në Dibër në Njësinë Administrative Ostren me rreth 5 mijë banorë, të cilët kanë kërkuar ndihmë, pasi mungon energjia elektrike si dhe nuk ka as kujdes mjekësor.
Momentalisht, edhe fshatrat Vithkuq, Lekas, disa fshatra të Moglicës e zona e Mirasit dhe Dardhës në Qarkun e Korçës nuk furnizohen me energji, pasi ka pasur defekt në fidrin e Poloskës.

Gjendja e rrugëve

Rajoni Jugor
Gjatë natës ka pasur reshje shiu. Për pasojë situata në akset e qarkut të Gjirokastrës është përmirësuar ndjeshëm dhe qarkullimi kryhet normalisht.
Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë, vetëm në segmentin Erind–Çajup me zinxhirë.
Në Qarkun e Korçës ka pasur reshje të dobëta bore. Ndërkohë është punuar pa ndërprerje nga kontraktorët e mirëmbajtjes për përmirësimin e gjendjes në akse.
Në aksin Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Kapshticë është punuar gjatë orëve të para të mëngjesit për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë.
Në aksin Boboshticë-Dardhë, nga km 5-14, qarkullohet me zinxhirë.
Në rrugën Ersekë-Leskovik, në zonën e Gërmenjit, qarkullohet me zinxhirë.

Rajoni Qendror
Në Tiranë gjatë gjithë natës dhe deri tani ka reshje shiu dhe në akset e Dajtit ka reshje bore.
Po vazhdon puna për pastrimin dhe hedhjen e kripës nga kontraktori. Segmentet Qafë Priskë-Qafë Mollë-Shëngjergj qarkullohet me zinxhirë. Në Trau Dajt-Teleferik është punuar për pastrim dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi bëhet me zinxhirë. Akset e Dajtit qarkullohen të gjitha me zinxhirë.

Rajoni Verior
Në Shkodër ka pasur reshje me intensitet të lartë. Në aksin Nyjë Fushë Dukagjin-Lidhja me Rrugën e Kombit, Hyrje Kukës-Krumë-Qafë Prush, Plepa-Kam ka pasur reshje bore. Trashësia e borës shkon 60 cm. Vazhdon puna për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi pjesërisht me zinxhirë.
Në shumë segmentet rurale në Kukës, Peshkopi, Burel, Tropojë dhe Shkodër qarkullimi është me zinxhirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë