Lajme

Rihapet tenderi për Unazën e Madhe

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar 6 kompanitë, të cilat kanë dorëzuar ofertat për “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi Pallati me Shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1”.
ARRSH bën me dije se afati për dorëzimin e ofertave ka përfunduar në orën 11:00 të ditës së sotme.
E para që kryeson listën, duke dhënë ofertën më të ulët është një bashkim kompanish, nga Curri Shpk, Vëllezërit Hysa dhe Agri Konstruksion, e cila në këtë garë ka ofruar 1 774 355 794.3 lekë, për ndërtimin e një segmenti të unazës. Kompania e dytë është GD Granit AD Skopje, e cila ka ofruar 2 013 889 415.5 lekë, e ndjekur nga Gjoka Konstruksion SHA dhe Shansi Invest Shpk, me një ofertë prej 2 199 746 882.3 lekësh.
Gjithashtu, në ritenderimin për segmentin e unazës së madhe ka paraqitur ofertë dhe kompania Geci Shpk. 2 200 747 165.4, ANK Shpk 2 242 318 972.6 lekë si edhe Baftjar Murati, i cili edhe pse ka marr pjesë në garë nuk ka paraqitur ofertën e tij.
Në përputhje me ligjin e Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar tanimë ka filluar procedurën e vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur. Pas shqyrtimit të dokumentacionit do të kalohet në vlerësimin e ofertave, shpalljen e rezultatit dhe bërjen e tij publike.
“Kriteret dhe kërkesat ligjore në këtë garë, të publikuara edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik janë të njëjtat me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të unazës dhe nuk ka ndryshuar asnjë prej tyre”, thuhet në deklaratën e ARRSH.
Ndërkohë, ARRSH u kërkon partive politike të lejojnë respektimin e procedurave ligjore, të mos dëmtojnë procesin e garës dhe të mos intimidojnë komisionin e vlerësimit të ofertave.
“Ligji për Prokurimin Publik dhe gara e hapur përmes platformës së Agjencisë së Prokurimit Publik krijon të gjitha mundësitë për transparencë të plotë në këtë proces të rëndësishëm”, mbyllet deklarata e ARRSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë