Lajme

Dogana e Kosovës në Durrës, Rama: Kufiri tani bëhet informal

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Transporteve në Kosovë, Fatmir Limaj, kanë inauguruar doganën e Kosovës në Portin e Durrësit. Kryeministri Rama në fjalën e tij u shpreh se kjo do të ndihmojë shumë sipërmarrës nga të dyja vendet dhe e gjitha kjo do kthejë kufirin në informal.
“Më vjen shumë mirë që mblidhemi në një stacion tjetër për të çelur zyrën doganore të Kosovës në Durrës dhe për ta kthyer kështu portin e Durrësit jo vetëm një doganë për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Dogana e saj këtu në Durrës është pika e bashkimit doganor. Vazhdimi i këtij procesi me vendosjen me të njëjtin standard për të gjitha pikat doganore.
Tani njohja reciproke, mundësi e kryerjes së procedurave doganore përmes teknologjisë dhe realizimit të qëllimit të administratës, i cili ka dy krahë apo dy koka dhe funksionon si një trup i vetëm. Kjo e kthen kufirin mes Kosovës dhe Shqipëri në informal. Kështu ne hyjmë në një proces, që na çon jo vetëm në bashkëpunim doganor”, tha Rama.
Më tej, Rama falënderoi Ministritë e Mbrojtjeve të dy vendeve, pasi falë punës së tyre, në pranverë do të kemi një sistem shengen.
“Do të thotë që zyra e policisë në kufi është e përbashkët. Por, kjo do të zgjasë edhe për pak kohë, pasi në pranverë do të kemi një kufi totalisht fluid. Duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Malin e Zi. Kush na thotë se e kemi për Shqipërinë e Madhe, u themi se është sajesë. Nuk ka Shqipëri të Madhe. Nëse duan ta bëjnë këtë diskutim, e bëjmë ne nuk kemi asgjë të fshehtë, por jo te kjo”, vijoi më tej Rama.
Ndërsa, ministri i Transporteve në Kosovë,Fatmir Limaj, u shpreh se ky hap është vizioni i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës dhe ai Europës.
Në fjalën e tij, ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, theksoi se volumi i mallrave të shkëmbyera mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin që sapo mbyllëm, është rritur me 6 për qind.
“Volumi i mallrave nga Kosova ka qenë 6 për qind më shumë se viti i kaluar. Jam i bindur se me funksionimin e pikës doganore të Kosovës në Durrës, do të kemi një reflektim edhe në shifra të mëtejshme të shkëmbimeve tregtare”, tha Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë