Lajme

PD: Rama po fsheh pasurinë, duhet të ishte në pranga

Partia Demokratike vijon me akuzat e saj ndaj kryeministrit Rama. Zëdhënësja Ina Zhupa, në një deklaratë për mediat nga selia sulmoi kryeministrin, që sipas saj, duhet të ishte në burg për fshehje pasurie.
Zhupa tha kreu i qeverisë po fsheh jetën e shtrenjtë që bën dhe se pasditen e sotme shqiptarët do të shohin në parlament një qeveri të kalbëzuar.
“Shqiptarët duhet ta dinë se sa herë ka folur për pasurinë e tij, Edi Rama ka gënjyer! Kur nuk ka justifikuar dot pasurinë për ndërtimin e vilës superluksoze në Surrel, ka përdorur gruan. Kur nuk ka justifikuar dot jetën luksoze dhe oxhakun 18 mijë euro, Edi Rama ka përdorur shokun”, u shpreh Zhupa.
Më tej, ajo thotë se Partia Demokratike provon sot me dokumente zyrtare se Edi Rama gënjen për të fshehur pasurinë e tij dhe jetën prej sheiku që ai bën nga zhvatja e shqiptarëve.
“Të gjithë e mbajnë mend deklaratën e kryeministrit se oxhaku i varur superluksoz nuk i përkiste atij, por personit që paguan qiranë e studios së qeramikës, të cilën Edi Rama pohon se e përdor për punët e tij private. Në librin e tatimeve, miku i kryeministrit, Adrian Dule, figuron si një person me zero transaksione financiare. Nga historiku i të dyja aktiviteteve që ka krijuar, rezulton se ai nuk ka shitur asnjë punim të tij, duke mos i paguar shtetit asnjë qindarkë në tatime.
Historiku tatimor provon se shoqëria ‘AD’ e mikut të kryeministrit, ka shpallur falimentim në vitin 2012, duke patur të deklaruar zero hyrje dalje ndër vite. Miku i kryeministrit, që mori përsipër pronësinë e oxhakut 18 mijë euro, rezulton i regjistruar si person juridik me emrin ‘Aramika Studio’ në vitin 2017, sërish është i deklaruar me zero fitim”, thotë ndër të tjera Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë