“L’Equipe” në Francë ka publikuar fakte tronditëse, pas rrëfimit të tenistit të ri, Mick Lescure, i cili është marrë në pyetje për 48 orë, për të pranuar në fund se ka shitur ndeshje për të përfituar financiarisht.
Herën e parë ndodhi në Bangkok, për 600 euro, më pas u bë zakon. Deri në momentin që përfundoi në radarët e organeve të drejtësisë, që të martën në mëngjes e kanë arrestuar. Mick Lescure, tenisti francez 25-vjeçar, numri 40 në vendin e tij dhe numri 487 në botë, ka treguar gjithçka ka bërë. Që prej vitit 2015 ai ka shitur më shumë se 30 ndeshje, duke përfituar nga bastet e jashtëligjshme, që kanë sjellë në xhepat e tij rreth 30 mijë euro. Ëndrra e tij për të hyrë në tenisin e nivelit të lartë tashmë ka marrë fund.

“L’Equipe” ka publikuar disa detaje nga rrëfimi i Lescure. Takimet për të marrë zarfet më euro bëheshin në stacionet e trenit, pas ndonjë turneu të sajuar. Lescure ishte nën mbikëqyrje që prej vitit 2015, pas një takimi me “Maestron”, që hetuesit belgë e kanë identifikuar si Grigor Sargsyan, një belg 28-vjeçar me origjinë armene, një personazh qendror në sistemin e korrupsionit ndërkombëtar në tenis.
Në Tailanë, Lescure lejoi një tjetër tenist francez që ta mundte për të fituar 600 euro. Nga ai moment e më pas, ai ka manipuluar rezultatin e shumë ndeshjeve të tjera në Greqi, Spanjë, Santo Domingo, Bahrein etj. Këtë e ka bërë për shifra që shkonin deri në 2 mijë euro. “Por nuk kam shitur kurrë ndeshje Francë”, – ka pohuar tenisti që ka bërë edhe ndërlidhësin me tenistë të tjerë, duke i joshur me shuma eurosh. Hetimi i nisur në Belgjikë pritet të shtrihet edhe në Francë për të zbuluar mekanizmin që manipulonte gjithçka dhe që për momentin duket se dëmtonte vetëm tenisin e nivelit të ulët. Por nuk është çudi që fenomeni “Lescure” të ketë prekur edhe tenisin “e madh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje