Ministri i Jashtëm në ikje, Ditmir Bushati, ka dhënë intervistën e fundit pas periudhës 5-vjeçare në krye të diplomacisë shqiptare.
Kryediplomati, që është më jetëgjati në krye të kësaj të ministrie në këto tri dekada, ka bërë një bilanc të punës së tij. Po ashtu ka dhënë opinione dhe konkluzione mbi atë se çfarë e pret vendin tonë dhe rajonin në përgjithësi në të ardhmen. Kjo bisedë është bërë në një kohë, kur presidenti Ilir Meta dekretoi emrin e kryeministrit Edi Rama edhe në krye të Ministrisë së Jashtme, pas periudhës jo të paqtë mes tyre.
Sa i përket largimit nga ky dikaster, ministri e cilëson si ndryshim të udhëheqjes politike të ministrisë, dhe jo ndonjë ndryshim të prioriteteve në politikën e jashtme. Sipas tij, është shumë e vështirë të ketë ndryshime të prioriteteve; mund të ketë nuancime në momente të caktuara, por dihet se një pjesë e prioriteteve që ndiqen në vijimësi nga shërbimi i jashtëm, janë prioritete strategjike për të cilat, të gjitha forcat politike dhe aktorët shoqërorë janë në një mendje.
Një çështje e nxehtë është edhe dialogu Serbi-Kosovë, e më konkretisht ideja e ndryshimit të kufijve. Ndryshe nga kryeministri që ka qenë më elastik në opinionin dhe qasjen e tij, Bushati ka qenë i qartë kundër këtij opsioni.
I pyetur sërish rreth kësaj çështjeje, Bushati shprehet se ka pasur hapa pozitivë përpara, sikundër ka pasur raste kur dialogu ka ngecur, apo angazhimet e marra në letër nuk kanë sjellë efektet e pritshme në praktikë.
Për të e rëndësishme është të kuptuarit se në thelb të këtij procesi është normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Normalizimi për të është një proces i dyanshëm, i nevojshëm – si nga Serbia ashtu dhe nga Kosova – pavarësisht fuqisë apo dobësisë që mund të kenë për çështje të ndryshme Kosova dhe Serbia. Sipas tij, ajo që duhet analizuar është efekti i prekshëm për qytetarët e dy vendeve.
“Sot për sot, mungon analiza se sa i ka shërbyer ky proces qytetarëve, qoftë nga pikëpamja e lëvizshmërisë, apo nga zhvillimi i marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike.
Më tej, procesi i normalizimit do të duhej të pasohet edhe me procesin e pajtimit, duke qenë se Serbia dhe Kosova kanë në histori të përgjakshme. Shpresoj që ky do të jetë edhe një proces që do hapë dritën e gjelbër për të dyja vendet, për të qenë pjesë e familjes europiane ”, shprehet ndër të tjera Bushati.
Lidhur me finalizimin e dialogut Serbi-Kosovë, pozicionin e SHBA-së e sheh qartësisht në mbështetje të punës që po bën BE dhe përfaqësuesja e politikës së jashtme, zonja Mogherini, si një lehtësuese e dialogut mes dy vendeve.
Para pak ditësh, ministri Bushati u shpreh në media, lidhur edhe me gabimet që mund të ketë bërë në këtë 5-vjeçar, por nuk tha diçka konkrete, pasi sipas tij ka nevojë për refleksion. Në krye të kësaj ministrie, Bushati ka qenë i kujdesshëm përgjatë ecurisë së procesit të integrimit me BE-në. E për këtë mendon që qershori i 2019-ës është një stacion shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Në lidhje me paketën me Greqinë, ai shprehet se janë bërë hapa vendimtarë përpara. E cilëson si një ndër dosjet më të vështira që duhej administruar në rajon.
Po ashtu Bushati thekson faktin se 2019-ta është një vit i rëndësishëm, pasi janë edhe zgjedhjet e Parlamentit Europian, që lidhet edhe me pritshmërinë tonë për të filluar sa më parë bisedimet për anëtarësim në BE, por e gjithë kjo analizë do të ishte e paplotë, nëse nuk do të merrnim në konsideratë situatën e brendshme që po kalon BE-ja.
“Zgjedhjet për në Parlamentin Europian do të jenë vendimtare, sepse ndoshta për herë të parë mund të shohim jo thjesht një fuqizim të komponentit euro-skeptik, apo elementit kundërshtues ndaj projektit europian”, shprehet Bushati.
Dhe së fundi, Bushati tani që po largohet nga Ministria e Jashtme, shprehte se do të fokusohet në Qarkun e Shkodrës që drejton që prej zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Objektivi i tij është pa dyshim, marrja e një rezultati më të mirë sesa në zgjedhjet lokale të 2015-ës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje