Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e projektit për ndërtimin e Kampusit të ri Universitar në Qytet Studenti. Kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Po ashtu të pranishëm ishin edhe studentë dhe pedagogë. Prezantimi i këtij projekti vjen një ditë, pasi qeveria bëri publike paketën e plotë të “Paktit për Universitetin”.
Rama u shpreh se qeveria nuk po priste protestën e studentëve për të nisur nga projektet, por ashtu si në një shtëpi e gjitha është çështje mundësish e më pas dëshirash.
Kryeministri tha se toka në Qytet Studenti u zaptua nga politikanët e partisë që ka lindur në këtë ambient.
“Sot këtu ne prezantojmë një punë të nisur në 2015-ën. Por projekti ngeci për një shkak shumë konkret e domethënës, pasi territori rezultoi një tokë e xanun nga politikanët e partisë që lindi këtu në Qytet Studenti. Morën nga studentët energjinë e madhe për të transformuar Shqipërinë dhe ajo që bënë për Qytet Studenti, ishte thjesht t’i merrnin dhe pronat. Nga 1990 deri sot në Qytetin Studenti kanë ndodhur disa ndërhyrje mikroskopike, por nuk është bërë asgjë për të përballuar ndryshimin e madh që ka shoqëruar procesin e transformimit me rritjen e numrit të studentëve”, u shpreh kryeministri Rama.
Sipas tij, pasi ndërtuan dhe i regjistruan si pronat e tyre, “zaptuesit” do të marrin edhe dëmshpërblim nga shteti, në mënyrë që të lirohen hapësirat për kampusin.
“Simboli i bashkimit është marrja e mensës, nga vëllai i presidentit të republikës dhe kthimi i saj në loto. Po ashtu u zaptuan godina për qëllime personale. Këta nuk janë thjesht zaptues që mund t’i marrësh dhe t’i largosh. Këta janë tashmë pronarë dhe i kanë regjistruar këto prona. U regjistrua si u regjistrua, prona nuk shpronësohet dot. E vetmja mënyrë është duke i dëmshpërblyer. Këtu nuk duheshin bërë legalizime, sepse është territor i universitetit. Bëmë një operacion masiv shembjesh godinash dhe i dëmshpërblyem pronarët. Ia vlen që të ritheksohet: nuk kemi pritur protestën që të nisnim punën te konviktet e QS-së. Presim që të nënshkruajmë një marrëveshje për godina të tjera”, tha ndër të tjera Rama.
Gjatë fjalës së kryeministrit ndodhi edhe një incident. Një studente i ka ndërprerë fjalën kryeministrit, gjë për të cilën doli edhe jashtë.
Teksa kryeministri fliste, vajza u çua në këmbë dhe tha: “Kjo që bëni ju është një shfaqje”
“Po, bravo! Tani dil jashtë. Dil jashtë! Kështu është kur i ndërpret fjalën tjetrit”, është shprehur Rama.
Ndërkohë, Veliaj në fjalën e tij deklaroi se në QS do të ndërtohen 11 godina të reja, ndërsa u ka bërë apel studentëve që t’i rikthehen normalisht mësimit.
“Prezantimi që do të shikojmë sot nuk është definitiv, Kampusit do t’i shtohen 11 godina të tjera. Po rikonstruktohen sallat e leximit. Mensat kanë qenë preja e preferuar e secilit që ka zaptuar QS-në. Nevoja për një mensë dhe e lavanterisë është reflektuar. Deri në korrik do të mund të ndërhyjmë në të gjitha ambientet e përbashkëta, por është e pamundur të ndërhyhet në dhoma. Nëse vazhdon ngujimi, do ta kemi të pamundur që të ndërhyjmë”, është shprehur Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje