Politike

Gjosha: Rama, pengesë për anëtarësimin në BE

Marrë shkas nga apeli i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për dialog konstruktiv mes partive politike për reformat kyçe, deputetja Klajda Gjosha në një dalje për mediat, u shpreh se Shqipëria nuk ka më asnjë moment për të humbur për çeljen e bisedimeve për anëtarësim.
“Qershori është jetë a vdekje për një proces jetik, siç është procesi i integrimit europian. Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu siç është shprehur edhe nëpërmjet rezolutës që u miratua në Konventën Kombëtare, është e gatshme të bëjë çdo sakrificë për të çuar përpara këtë aspiratë të çdo shqiptari. Sfidat që kemi përpara nesh, si vazhdimësia e Reformës në Drejtësi me zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit, Reforma Zgjedhore dhe eliminimin e shitblerjes së votës, kërkojnë përgjegjshmëri të lartë politike si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha ndër të tjera Gjoshaj.
Gjosha tha se kryeministri Rama është e vetmja pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, i cili ka zgjedhur gjuhën e memeve dhe konfliktin në vend të dialogut.
“Konstatojmë se kryeministri i Shqipërisë ka zgjedhur konfliktin në vend të dialogut, ka zgjedhur provokimin në vend të komunikimit dhe interesat dhe prioritetet e tjera dhe jo ato europiane dhe euroatlantike.
Është e qartë për të gjitha shqiptarët që procesi i integrimit europian dhe objektivi madhor i çeljes së negociatave kanë vetëm një pengesë që është Kryeministri, i cili ka zgjedhur në vend të platformave dhe objektivave të integrimit, gjuhën e memeve vulgare”, shprehet deputetja Gjoshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë