Naim Qarri, president i Kamzës, dhe Xhelal Mziu, kryebashkiak i Kamzës, gjithmonë kanë vlerësuar raportin e mirë mes tyre thuajse në çdo dalje publike. Ngjitja e Kamzës në Superiore dy vite më parë iu dedikua pikërisht bashkëpunimit të mirë mes tyre, por tashmë ka një krisje të madhe mes dy drejtuesve kryesorë të ekipit.
Presidenti Naim Qarri, i cili zotëron 51% të aksioneve, i është drejtuar opinionit publik me një letër të hapur, ku bën të ditur problematikën që ka mbërthyer aktualisht Kamzën. Ai e akuzon bashkinë e qytetit, që zotëron 49% të aksioneve, për mospërmbushje të detyrimeve që ia cakton kontrata e bashkëpunimit. Presidenti Naim Qarri e “kërcënon” institucionin e pushtetit vendor se, nëse nuk është në gjendje të bëjë këtë, duhet t’i kalojë 100% të aksioneve, ndërkohë që garanton futbollistët për likuidim total, pavarësisht vështirësive që ka në këtë moment.

“Klubi ynë është shoqëri aksionare, ku 51% i disponon firma “Qarri02 shpk” dhe 49% i disponon Bashkia Kamzë. Ka gati 11 vite që e financoj skuadrën me paratë e familjes sime. Këtë sezon futbollistik Bashkia e Kamzës nuk ka plotësuar detyrimet financiare, që ligji përcakton qartë, në bazë të 49% të aksioneve që ky institucion zotëron. Kryetari i kësaj bashkie akuzon personin tim se nuk kam asnjë lloj projekti me skuadrën, por ka dokumente të vulosura dhe të dorëzuara pranë baskisë. Pas kësaj situate kam marrë premtimin nga kryetari i Bashkisë së Kamzës se bashkëpunimi do të rinisë dhe pushteti lokal do të ishte garant nga muaji janar, por investimet e bashkisë janë zero. I bëj thirrje këtij institucioni të mbështesë ekipin, sipas ligjit, jo Naim Qarrin. Në të kundërt, do të kërkoj nga bashkia 49% të aksioneve që disponon dhe 100% të aksioneve të kalojnë te firma “Qarri02 shpk”. Futbollistëve, pavarësisht se jam lënë në rrugë nga Bashkia e Kamzës, u premtoj se çdo detyrim do të likuidohet”, – shkruan mes të tjerash Qarri në letrën e hapur.

Kamza ndodhet në vështirësi serioze në klasifikimin e Superiores, ku lufton për mbijetesë. Skuadra e drejtuar nga trajnerit Ernest Gjoka mban vendin e 9-të, me 15 pikë. Për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar i duhet të parakalojë të paktën një ekip në tabelën e renditjes.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje