Politike

Historike, Greqia i thotë “po” Maqedonisë së Veriut

Pavarësisht sforcove politike , diskutimeve të pashembullta parlamentare, debateve të egra nacionaliste dhe ndërhyrjeve të brendshme dhe të jashtme, Greqia dhe Maqedonia ia kanë dalë të zgjidhin njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet mes tyre.

E quajtur si “historike” nga kryeministri Alexis Tsipras dhe e keqinterpretuar si “e dëmshme për kombin” nga opozita greke, marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit ka hyre sot zyrtarisht në fuqi, pasi deputetët grekë ratifikuan marrëveshjen për të riemëruar fqinjin e saj verior të Greqisë si Republikës së Maqedonisë Veriore

“Ne jemi një hap larg nga një ngjarje historike pas pothuajse 30 viteve mosmarrëveshjeje,” tha kryeministri Alexis Tsipras gjatë një fjalimit që zgjati më shumë se 70 minuta.

Pavarësisht nga trazirave, Tsipras ia doli të merrte miratimin e 153 deputetëve të nevojshëm për ratifikimin e emrit të ri të Maqedonisë, falë disa deputetëve të partisë së Panos Kammenos, disa deputetëve të Potamit dhe një deputeti të pavarur.

Kryetari i parlamentit Nikos Voutsis deklaroi se ky ishte një vendim”historik”, duke theksuar se seanca parlamentari për ratifikimin e saj, e cila zgjati më shumë se 38 orë, ishte më e gjata që ishte mbajtur në historinë e kohëve të fundit.

Vetëm pak minuta pas votimit historik në Athinë, kryeministri Zoran Zaev uroi kryeministrin Tsipras, duke deklaruar se dy popujt kishin arritur një marrëveshje historike. “Urime mikut tim Alexis Tsipras, së bashku me popujt tanë kemi arritur një fitore historike. Jetë të gjatë Marrëveshjes së Prespës! Për paqen e përjetshme dhe përparimin e Ballkanit dhe në Europë”, shkruan në në një postim në rrjetin social Facebook.

Edhe iIsh-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka përshëndetur vendimin e marrë pak më parë nga Parlamenti grek. Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Bushati shkruan se vota e Parlamentit grek zgjidhi mosmarrëveshjen 27-vjeçare mbi çështjen e emrit të Maqedonisë dhe i hapi dyert asaj për pranimin në BE dhe NATO.
“Vota e Kuvendit të Greqisë për Marrëveshjen e Prespës zgjidhi mosmarrëveshjen prej 27 vitesh mbi çështjen e emrit dhe hap dyert për pranimin në BE të NATO-s dhe BE. Ky është një moment historik për Ballkanin dhe Evropën. Urime! @NikosKotzias @Dimitrov_Nikola @Zoran_Zaev @tsipras_eu @Zoran_Zaev”, shkruan Bushati në “Twitter”.

Ndërkohë që parlamenti grek “ziente” nga debatet dhe akuzat e pashembullta, qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Athinës, për të protestuar kundër marrëveshjes që i dha fund një prej konflikteve më të ashpra në rajon.

Grekët kanë kundërshtuar gjithmonë emrin ekzistues, që kur Maqedonia fitoi pavarësinë në vitin 1991 me shpërbërjen nga ish-Jugosllavisë. Shumica dërrmuese janë kundër Marrëveshjes së Prespës, duke deklaruar se marrëveshja cënon identitetin e tyre dhe trashëgiminë kulturore që la pas Aleksandri i Madh më shumë se 2,300 vite më parë.

Më shumë se 150 persona janë arrestuar për t’u marrë në pyetje, pas dhunës në demonstratat që u mbajtën në Athinë dhe dy qytete në Greqinë veriore.
Në veri të Greqisë, ku kundërshtimi ndaj marrëveshjes është më e zjarrtë, protestuesit kanë vënë në shënjestër shtëpitë e anëtarëve të parlamentit. Të mërkurën mbrëma, disa hodhën bomba zjarri në shtëpinë e deputetit Theodora Tzakri.

Të paktën dy ligjvënës nga Syriza kanë deklaruar në parlament se shtëpitë e tyre u vunë në shënjestër nga demonstruesit e dhunshëm. Po ashtu edhe Ministrja e turizmit, një konservator i pavarur që mbështeti marrëveshjen e emrit, tha se ajo kishte marrë kërcënime të shumta me vdekje. Përleshje pati edhe mbrëmjen e së enjtes, jashtë ndërtesës së parlamentit, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Kundërshtimi ndaj marrëveshjes ishte gjithashtu i qartë të dielën e kaluar, kur dhjetëra mijëra njerëz protestuan në Athinë në një miting që kulmoi kur grupe ekstremistësh të krahut të djathtë u përpoqën të hynin me forcë në Parlament, duke plagosur 25 oficerë policie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë