Futboll

Mezani e mbyll me Luftëtarin: Vendim për të mirën e përbashkët!

Fatjon Rupi – Ikën edhe Gentian Mezani nga Gjirokastra. Një lëvizje që pritej, duke pasur parasysh situatën që po kalon Luftëtari. Drejtuesit e klubit me siguri nuk e kanë pritur mirë deklaratën e fundit të trajnerit vlonjat, i cili pranoi hapur pas humbjes së thellë me Kastriotin se ekipi nuk mund të mbijetojë me këtë kontingjent. Fakti që largimi vjen një ditë pas kësaj deklarate, të bën të mendosh se ky është shkaku i mbylljes së bashkëpunimit. Ndoshta drejtuesit e Luftëtarit kanë mbetur të ofenduar, edhe pse ajo që ka thënë trajneri Mezani nga opinioni sportdashës në vend konsiderohet një pohim i vërtetë.

“Vendosëm ta mbyllim bashkëpunimin, është e vërtetë, – thotë trajneri Mezani në një bisedë telefonike me Gazeta Si. – Vendimi është marrë me dakordësinë e të dyja palëve, për të mirën e Luftëtarit dhe timen. Sapo kemi mbyllur gjithçka dhe tani të shohim për të ardhmen”. Një deklaratë tipike në fakt e situatave të tilla. Gentian Mezani është nga ata trajnerë që asnjëherë nuk krijon polemika. Edhe këtë radhë ai nuk ka dashur të lëshojë akuza, ka folur me pak diplomaci. Por mendimin e tij për kualitetin e grupit të futbollistëve që drejton, pas largimeve të shumta në janar, ai e ka bërë të qartë disa herë. Nga Luftëtari u larguan Shkurtaj, Rroca, Mirosavljev dhe Janiçic, të gjithë titullarë dhe shumë të rëndësishëm për ekipin, ndaj dhe ndërhyrja në merkato ishte e pashmangshme.

Trajneri Gentian Mezani

Në klubin gjirokastrit nuk kanë mbajtur ende asnjë qëndrim në lidhje me largimin e Mezanit. Flitet se vendin e vlonjatit do të zërë një trajner serb, i cili do të ishte i treti për Luftëtarin në këtë sezon, pas sllovenit Milosh Kostiç dhe Gentian Mezanit. Gjirokastritët po kalojnë një moment shumë të vështirë, me probleme pagash të prapambetura dhe për më tepër me një llogari të hapur me UEFA-n, që po heton për ndeshjet europiane të Luftëtarit, të dyshuara si të trukuara. Pak ditë më parë u bë publik një dokument konfidencial i UEFA-s, që i ishte dërguar FSHF-së dhe klubit jugor. Humbja katastrofike me Kastriotin ishte një sinjal i qartë se duhet një zgjidhje urgjente për ekipin, sepse në të kundër do të vërtetohet thënia e Mezanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë