Futboll

Ishte në emergjencë për sulmues, Flamurtari prezanton Sukajn

“Një bie, qindra ngrihen”. Ishte batuta e administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili i referohej largimit të sulmuesit dhe kapitenit Tomisllav Bushiç për te Teuta pak ditë më parë. Një largim që i vuri në lëvizje drejtuesit e klubit vlonjat, pasi ekipi mbeti pa sulmues, duke qenë se edhe braziliani Danilo Alvesh nuk po kthehet. Zgjidhja ka ardhur me shkodranin e njohur Xhevahir Sukaj, i cili ka firmosur dhe është prezantuar si futbollisti më i ri i Flamurtarit. Klubi vlonjat nuk i ka bërë të ditura detajet e kontratës, por gjasat janë që Sukaj të ketë firmosur deri në fund të këtij sezoni.

Trajneri Ilir Daja do të ketë në grup nga sot sulmuesin me përvojë, por duhet parë gjendja fizike e tij, sepse Sukaj nuk ka luajtur gjatë sezonit aktual, ku fillimisht u bashkua me Laçin dhe më pas u largua pa luajtur asnjë ndeshje. Ndoshta shkodrani nuk do të jetë gati menjëherë, por e rëndësishme është që Flamurtari ka gjetur një sulmues para mbylljes së merkatos dimërore. Në ndeshjen e fundit me Teutën, trajnerin Daja aktivizoi në sulm mesfushorin Batha, pasi e konsideroi zgjidhjen më të mirë.

Xhevahir Sukaj, duke firmosur për Flamurtarin

Duket një situatë paradoksale për klubin vlonjat të bëjë afrime në këtë moment, kur ka një çështje të hapur me pagat dhe së fundi janë larguar dy futbollistë të huaj, Bushiç dhe Siljanovski. Nga administratori Sinan Idrizi, i cili kërkon me ngulm nga bashkia ta rimbursojë për borxhet që ka shlyer, është dhënë garancia se do të bëhet likuidimi i pagave. Gjatë sezoneve të fundit Flamurtari nuk ka pasur stabilitet dhe rrjedhimisht, edhe pse e ka nisur kampionatin si pretendent, ka mbetur pa gjë, pa shkuar në kupat e Europës.

Flamurtari, me shumë mungesa, barazoi 1-1 në ndeshjen e fundit me Teutën në Durrës. Për javën e 20-të kampionatit, vlonjatët presin Kukësin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë