Futboll

Piatek rrëmben skenën, Milani në gjysmëfinale të Kupës së Italisë

Sulmuesi polak, Kristof Piatek, është bërë protagonist absolut i ndeshjes Milan Napoli, 2-0, e vlefshme për çërekfinalet e Kupës së Italisë. Në ndeshjen e parë si titullar me fanellën kuqezi, futbollisti i marrë nga Xhenoa ka rrëmbyer skenën, duke shënuar dy golat e fitores që në pjesën e parë.

Milani ka bindur në këtë ndeshje dhe e ka merituar plotësisht kalimin në gjysmëfinale në Kupës së Italisë. Çerekfinalet e këtij kompeticioni luhen me një ndeshje dhe në “San Siro” Milani nuk mund të falte. Piatek shënoi dy herë në portën e Napolit brenda 27 minutash, duke prerë shpresat e miqve për kualifikim. Sulmuesi polak luajti nga minuta e parë, bashkë me Borinin dhe Kastilejon në vijën e parë të sulmit. Goli i dytë ishte i veçantë për lojtarin që kanë çuar në delir tifozët e Milanit. Pas një pasimi në thellësi nga Paketa, Piatek kontrolloi mirë topin, krijoi hapësirë dhe me një të djathtë të fuqishme mposhti portierin Meret. Polaku doli nga fusha 10 minuta para fundit dhe tifozët kuqezi e duartrokitën pa fund.

Formacionet e dy skuadrave

Napoli provoi të reagonte në pjesën e dytë, por nuk arriti në asnjë moment ta rihapte ndeshjen. Futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj, nuk ishte i grumbulluar për këtë ndeshje nga trajneri Karlo Ançeloti, pasi ka pësuar një dmëtim. Napoli del jashtë gare, ndërsa Milani shkon në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Inter-Lacio.

Milani feston një nga golat e Piatek

Gjatë ndeshjes ka pasur probleme me koret reaciste nga tifozët e Milanit, edhe pse klubi i tyre sot mori një gjobë prej 15 mijë eurosh për këtë çështje. Nga “Curva Sud” ka pasur kore kundër napoletanëve, ashtu si pak ditë më parë në ndeshjen e kampionatit mes këtyre dy skuadrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë