Lajme

Shkup, në mbledhjen e qeverisë flitet për herë të parë shqip!

Pas botimit të ligjit të gjuhëve në Fletoren Zyrtare, në qeverinë maqedonase është folur për herë të parë shqip.

Ministrat shqiptarë kanë filluar të përdorin të martën zyrtarisht gjuhën shqipe si në seancat parlamentare, por edhe mbledhjen e kabinetit.

I pari ka folur në gjuhën e tij amtare në mbledhjen e qeverisë ka qenë ministri i Diasporës, Edmond Ademi, e cili e ka ndarë këtë ngjarje edhe me ndjekësit e tij në Facebook.

“Sot pata nderin të jem ministri i parë shqiptar nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, që në mbledhjen e qeverisë, të flas në gjuhën shqipe. Ligji për gjuhët, duhet të rrisë kohezionin mes qytetarëve të etnive të ndryshme, në ndërtimin një shoqëri gjithëpërfshirëse, pasi është edhe koncepti politik i kësaj qeveriе udhëhequr nga LSDM-ja. Para së gjithash ky ligj është në interes të qytetarëve, gjithë bashkësive etnike dhe komunikimit të tyre me institucionet, dhe ne si politikan përmes shembullit personal të tregojmë përforcimin e këtij kohezionit, duke ju shmangur politikave ditore”, shkruan zoti Ademi.

Edmond Ademi

Lajmi se në seancat parlamentare ka filluar të flitet shqip u bë e ditur edhe nga disa prej ministrave shqiptarë nga BDI-ja.

Ligji i shqipes u firmos nga kryeparlamentari shqiptar i Kuvendit maqedonas, Talat Xhaferri dhe u dërgua më pas për botim në Fletoren Zyrtare, duke hyrë menjëherë në fuqi më 15 janar. Ky vendim historik për shqiptarët vjen vetëm pak pas përcaktimit të shtetësisë shqiptare në dokumentet e identifikimit të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.

Ligji i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë erdhi pas një marrëveshjeje midis qeverisë dhe partive shqiptare dhe është i bazuar në Kushtetutën e vendit fqinj. Tanimë zyrtarisht, përveç gjuhës maqedonase, shqipja do të njihet si gjuhë zyrtare në zonat ku ka më shumë se 20 për qind shqiptarë. Ky ligj detyron të gjitha institucionet shtetërore t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e shqipes si dhe alfabetit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë