Futboll

Koret raciste në stadiume, Italia ndryshon rregulloren

Racizmi në stadiume është një çështje e nxehtë në Itali dhe pavarësisht dënimeve dhe gjobave që janë dhënë për klube si Interi dhe Milani, sërish situata ka mbetur e njëjtë. Milani u gjobit me shumën e 15 mijë eurove për koret kundër Napolit në ndeshjen e kampionatit, por vetëm pak ditë më pas, në ndeshjen e Kupës së Italisë, ndodhi e njëjta gjë në “San Siro”.

Këshilli Federal në Itali ka vendosur të bëjë disa modifikime në rregullore sa i takon çështjes së racizmit. Ndryshimet kanë të bëjnë me procedurën për ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes, kur ka kore raciste në shkallët e stadiumit. Tani e tutje nuk do të ketë tre paralajmërime, sipas rregullit të mëparshëm, por në episodin e dytë do të ndërpritet ndeshja. Ndryshimi i kësaj pike të rregullores është konfirmuar nga Federata Italiane e Futbollit. Në episodin e parë skuadrat do të shkojnë në qendër të fushës, ndërsa në të dytin do t’u drejtohen dhomave të zhveshjes. Për ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes është përgjegjësi i rendit publik ai që vendos.

Rregullat e reja për racizmin

  • Para ndeshjes, nëse përgjegjësi i rendit publik vë re një ose më shumë parulla me sfond racist, ose dëgjon kore diskriminuese, urdhëron arbitrin që ndeshja të mos fillojë.
  • Nëse gjatë ndeshjes arbitri evidenton kore raciste, ose sinjalizohet nga përgjegjësi i rendit publik për këtë fakt, ndërpret ndeshjen dhe futbollistët shkojnë në qendër të fushës. Në atë moment publiku informohet për arsyet e ndërprerjes së ndeshjes.
  • Nëse ndodh sërish një episod i tillë, arbitri i urdhëron skuadrat të shkojnë në dhomat e ndeshjes. Për rifillimin e ndeshjes vendos përgjegjësi i rendit publik. Nëse edhe pas rikthimit në fushë vazhdojnë koret raciste, ai mund të vendosë për ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes.

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë