Është bërë zakon tashmë që 5 ndeshjet e javës në Superiore të ndahen të tri ditë. Kështu do të jetë edhe kjo javë e 20-të e kampionatit, ku Partizani dhe Kukësi do të vazhdojnë luftën në distancë, ndërsa nga skuadra të tjera, Skënderbeu dhe Teuta konkretisht, pritet të reagojnë në 90-minutëshin e radhës.
Ndeshjet më interesante pritet të jenë Tirana-Teuta, që ngre siparin e javës, dhe Flamurtari-Kukësi. E para luhet pasditen e së premtes dhe e dyta pasditen e të shtunës. Tirana, pas fitores me përmbysje ndaj Kazmës, synon sot në “Selman Stërmasi” një tjetër trepikësh, që do të konfirmonte kthesën e kryeqytetase. Por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sepse Teuta vjen në këtë ndeshje pas hapit të gabuar në shtëpi me Flamurtarin dhe minimalisht do të përpiqet të shmangë humbjen. Trajneri Mema nuk ka të gatshëm në këtë ndeshje mbrojtësin Kërçiku, ndërkohë që shqetëson shumë edhe Hasani.

Të shtunën zbresin në fushë Skënderbeu, që përballet në Fushë-Krujë me Kastriotin dhe duhet të ndërpresë serinë e 5 humbjeve, që ka nisur që në dhjetor. Korçarët kanë zbritur në vend të 5-të dhe nuk do t’u falej një tjetër hap false ndaj krutanëve që luftojnë për mbijetesë dhe që vijnë në këtë ndeshje me koral të lartë pas fitores së thellë, 1-5, në Gjirokastër. Një sfidë e fortë parashikohet të jetë ajo mes Flamurtarit dhe Kukësit, që ndeshen po të shtunën në Vlorë. Trajneri Daja ka shumë mungesa dhe i duhet të arnojë sërish formacionin. Përveç Alveshit, Bushiçit dhe Siljanovskit të larguar nga ekipi, atij i duhet të bëjë edhe pa Veliun, Toraësn dhe Kalenë të skualifikuar. Ia doli në Durrës, megjithatë ndaj Kukësit është tjetër histori. Skuadra e Cungut është fuqizuar shumë në merkaton e dimrit, pasi nuk është dorëzuar për titullin.
Java e 20-të mbyllet të dielën me ndeshjet Laçi-Luftëtari dhe Kamza-Partizani. Laçi, pas pikës së marrë në transfertë me Kukësin, ka shanse të mëdha të fitojë ndaj një Luftëtari të goditur psikologjikisht nga humbja me Kastriotin. Debuton në stolin e gjirokastriteve trajneri Julian Ahmataj. Partizani ka një provë jo të lehtë në Kamzë. Dy klubet kanë shkëmbyer lojtarë ditët e fundit të merkatos dhe ndeshja nuk pritet të jetë shumë “e egër”. Kualiteti i Partizanit pritet të bëjë diferencën edhe këtë radhë.


Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje