Lajme

Ndryshime në ushtri, gjeneral Mullai në krye të Forcës Tokësore

Gjeneral Albert Mullai është emëruar komandanti i ri i Forcës Tokësore, duke zëvendësuar gjeneralmajor Nazmi Cahanin, i cili e mbajti këtë post për më shumë se 3 vjet.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë prezantimit deklaroi se vlerësimi i profesionistëve dhe njerëzve të përkushtuar është motoja e punës në Forcat e Armatosura.
“Puna e palodhur, përkushtimi, profesionalizmi gjithmonë do të shpërblehen. Kjo është motoja e punës sonë, është motoja e punës sime, është objektivi i punës sime, është objektivi që ne i kemi vënë vetes dhe është standardi i panegociueshëm që ne do të zbatojmë në të gjitha strukturat e FA. Por, puna dhe zhvillimi më tej i FT nuk ka përfunduar dhe kemi shumë sfida të tjera përpara. Dua t’i shpreh dhe dua ta siguroj gjeneral Mullain se në Ministrinë së Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm do të keni gjithë mbështetjen e duhur për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët, përmbushjen e misionit që i është ngarkuar Forcës Tokësore dhe Forcave të Armatosura në përgjithësi”, tha ndër të tjera ministrja Xhaçka.
Ndërkohë, gjeneralmajor Nazmi Cahani dorëzoi detyrën duke falënderuar gjitha bashkëpunëtorët e tij gjatë 3 viteve në krye të Forcës Tokësore, ndërkohë që komandanti i ri i kësaj force gjeneral brigade Albert Mullai falënderoi ministren Xhaçka për besimin dhe siguroi se fokusi i punës së tij do të jenë stërvitja dhe kujdesi për kushtet e punës, për gjithë efektivët e Forcës Tokësore dhe familjet e tyre. Gjeneralmajor Nazmi Cahani do të vijojë të shërbejë në Forcat tona të Armatosura, si përfaqësuesi ushtarak në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë