Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Baskisë, Erion Veliaj dhe ministrja e Shëndetësisë, në një takim me studentët në konviktet e Mjekësisë, lidhur me problemet që i shqetësojnë, ka reaguar edhe ndaj grevës së pedagogëve.
Në fjalën e tij, kryeministri ka akuzuar pedagogët se po pengojnë studentët, pasi në këtë mënyrë po u digjet viti.
“Universiteti është autonom. Autonomia nuk është liria e pedagogëve që të bëjnë grevë dhe t’i lënë studentëve rrugëve, por është përgjegjësi për t’u dhënë mësim studentëve për të cilën ata paguajnë. Autonomia nuk është liri për të thënë unë ngujohem dhe në emër të një pakice pengoj shumicën të marrë mësim, por është përgjegjësi”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kreu i qeverisë u ka drejtuar tre pyetje pedagogëve që protestojnë prej ditësh dhe kanë hyrë në grevë, duke i etiketuar si “Mark Markët” nisur nga fakti që më i zëshmi prej tyre është pedagogu Mark Marku. Rama tha se kur t’u përgjigjen pedagogët këtyre tre pyetjeve, atëherë le t’ia lënë fajin atij për problemet e studentëve.
“Ju duhet t’u bëni Mark Markëve, një pyetje, sepse kërkesat e studentëve nëse ju nuk do të ngatërroni kohën me sistemet, duhet t’i bënin ata, këto që kërkoni ju. Pyesni pak ata, Mark Markët me shokë, a janë dakord me vlerësimin e titujve akademikë dhe të thonë si dhe kur e duan? Por, këtë nuk e thonë këtë.
Keni parë që thonë të ndalohet denigrimi i pedagogëve, por për çfarë? A janë dakord ata që të ndalohet tregtaria e librave të pedagogëve për notën? Dhe pyetja e tretë është, a janë dakord që çdo vit studentët të bëjnë një vlerësim të performancës së pedagogëve, siç e përdor gjithë bota? Aty do të kuptojmë nëse e bëjnë grevën për ju, apo se nuk duan të përgjigjen për këto tre pyetje. Këta që bëjnë greva dhe u mbajnë peng ju duhet t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve. Po e morët përgjigjen, më lajmëroni dhe jam prapë unë fajtor”, deklaroi ai.
Madje, u ka bërë thirrje studentëve, t’i dalin zot vetes dhe të ngrihen kundër pedagogëve.
“E pabesueshme ju pas protestës që bëtë prapë nuk kuptoni forcën tuaj. Kjo që po ndodh është kërcënim i drejtpërdrejtë për të humbur vitin. Ju të pranoni që një grusht njerëzish dhe një grusht pedagogësh t’ju kërcënojnë dhe t’ju thonë se jeni tradhtar… e të mos mblidheni bashkë për të qëndruar te dera dhe për të kërkuar llogari deri kur të hapet dera për të shkuar në shtëpi të rektorit dhe për t’i thënë dil jashtë. Dili zot vetes tende”, shprehet ndër të tjera kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje