Futboll

Rikthehen dhuna dhe arbitrat-pilotë, futbolli shqiptar s’ndryshon kurrë!

Dy-tre muajt e fundit nuk ia vlen të shkosh në stadium, sepse ndeshjet e kampionatit shqiptar vendosen në tavolinë! Një deklaratë e një njeriu që nga futbolli kupton shumë. Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Igli Tare, aktualisht drejtor sportiv i Lacios dhe shumë i suksesshëm në këtë rol, e ka thënë hapur disa muaj më parë se pse futbolli ynë vazhdon të jetë i sëmurë. Pikërisht për arsyen që Tare e ka theksuar me forcë, ai nuk mendon të angazhohet me futbollin shqiptar. Një e vërtetë e madhe, një plagë e thellë e futbollit tonë, që në vend që të pastrohet mirë dhe të kurohet, vazhdon të majiset gjithmonë e më shumë.


U pa qartë të shtunën, kur dy nga fenomenet më negative të futbollit tonë, dhuna dhe ndikimi i arbitrave në rezultatin e ndeshjes, u shfaqën hapur në Fushë Krujë dhe në Vlorë, në gjithë dimensionin e tyre. Tre futbollistë të Skënderbeut u goditën para ndeshjes me Kastriotin në stadium, ku nuk kishte asnjë punonjës policie apo sigurie private, FSHF-ja urdhëroi klubin jugor ta luante ndeshjen, pavarësisht incidentit, dhe më pas korçarët që “kërcënuan” se do ta braktisin kampionatin, nëse nuk zbardhet ngjarja. Pak orë më pas, një nga ata arbitrat e quajtur “kamimakazë”, nuk ka rëndësi emri, bëri çfarë i deshi qejfi në Vlorë: anuloi gol, nuk akordonte faulle në favor të Flamurtarit, dha pozicion jashtë loje të paqenë, duke irrituar publikun dhe drejtuesit vlonjatë. Megjithatë, pas ndeshjes administratori Sinan Idrizi, kërkoi vetëm pak më shumë respekt për njerëzit që investojnë në futboll. Mjafton për të kuptuar se ku është katandisur futbolli unë.

Kristi Vangjeli, një nga futbollistët e Skënderbeut që u goditën në stadiumin e Fushë Krujës

Për t’u kthyer te deklarata e Igli Tares, gara reale në kampionat duket se ka përfunduar më shpejt nga sa ai mendonte dhe që tani ka filluar “loja e tavolinave”. Futbolli ynë është familjarizuar prej kohësh me dhunën dhe kur goditen tre futbollistë të një ekipi duket si diçka normale, ndërkohë që është një skandal i madh. E njëjta histori edhe me arbitrat-pilotë, të cilët sigurisht që nuk veprojnë me kokën e tyre, sidomos në Vlorë, në “tokën e urryer” vitet e fundit për arbitrat tanë, ndryshe nga sa ndodhte kur klubi administrohej nga bashkia e qytetit.

Arbitri Olsi Sokoli gjatë ndeshjes Flamurtari-Kukësu, 1-2

Sapo ka filluar muaji shkurt dhe ndoshta këtë radhë “fushata” ka nisur pak më shpejt. Ndoshta e ndikuar edhe nga gara e fortë për titullin kampion. Ndoshta Partizani ka thyer çdo parashikim këtë sezon me ecurinë e tij. Dhe është vërtet tragjike, sepse do të thotë se në vazhdim do të shohim edhe më keq, apo për të huazuar një shprehje nga politika: prisni se nuk keni parë gjë akoma! Vërtet për të ardhur keq, sepse ky kampionat u duk se do të devijonte disi nga të mëparshmit, por duket se nuk mund t’i shpëtojë “virusit të tavolinës”. Futbolli shqiptar nuk ndryshon kurrë!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë