Futboll

Piatek mban Milanin në zonën Champions, Interi katastrofë

Roma nuk ia ka dalë të fitojë në “Olimpico” sfidën direkte me Milanin për vendin e katërt. Ndeshja është mbyllur në barazim, 1-1, rezultat që i leverdis skuadrës së Gatuzos, pasi e mban Romën poshtë në renditje. Ishte Milani që shënoi i pari me Kristof Piatek në pjesën e parë. Ishte goli i tretë i sulmuesit polak në dy ndeshje të luajtura brenda pak ditësh me Milanin, në mesjavë dopieta në kupë ndaj Napolit dhe tani ky gol me vlera në fushën e Romës në kampionat.

Roma barazoi me fillimin e pjesës së dytë, kur Zaniolo dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi shpresat për fitore, por më pas nuk do të kishte gol tjetër. Milani ishte me fat afër fundit të ndeshjes, kur Pelegrini goditi shtyllën e majtë të portës së Donarumës. Ishte barazimi i dytë radhazi në kampionat për të dyja skuadrat. Kuqezinjtë qëndrojnë në vend të katërt, me 36 pikë, 1 më shumë se Roma. Milani duket në ngritje me ardhjen e Paketës dhe Piatek, ndërsa Roma po vuan dhe tani stoli i trajnerit Euzebio Di Francesko është lëkundur shumë fort.

Zaniolo shënon golin e barazimit për Romën

Roma është pritur me kontestime nga tifozët e saj, mjaft të irrituar nga humbja 7-1 ndaj Fiorentinës në kupë. Ata kanë vërshëllyer futbollistët gjatë daljes në fushë, me përjashtim të De Rosit dhe Zaniolos. Në shënjestër ishin veçanërisht Florenci, Pastore dhe Kolarov. Pas 15 minutave të para, ultrasit e Romës boshatisën sektorin e tyre, pasi kishin thirrur më parë në kor: “mercenarë mercenarë!”, si dhe “kini respect!” Po ashtu, një kor i është dedikuar Antonio De Falkit, tifozit të Romës, i ndarë nga jeta në vitin 1989, në moshën 18-vjeçare. Ultrasit romanë e kanë kujtuar atë, duke ftuar motrën e tij në “Curva sud”, ku mbanin në duar 30 portrete të mëdha të Antonios.

Ultrasit e Romës kujtojnë Antonio De Falkin, tifozin e ndarë nga jeta në moshën 18-vjeçare

Krizë pa fund për Interin. Viti 2019 vazhdon të jetë i zi për skuadrën zikaltër, që në javën e 22-të të Serisë A është mundur 0-1 në shtëpi nga Bolonja e drejtuar tashmë nga Sinisha Mihajloviç. Dhe të mendosh që Bolonja nuk fitonte prej 14 ndeshjesh. Në “San Siro” vendosi një gol i shënuar me kokë nga Santander në minutën e 32-të. Një fitore e merituar për Bolonjën, që në pjesën e dytë e përballoi pa problem sulmin e Interit. Një ndeshje për t’u harruar për kapitenin Mauro Ikardi, Ivan Perisiç dhe Raxha Naingolan. Tani ai që rrezikon më shumë është trajneri Luçiano Spaleti.

Dëshpërimi i lojtarëve të Interit pas humbjes me Bolonjën

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë