Futboll

Teuta rikthen Armando Vajushin në Shqipëri pas 7 vitesh

Në janar të vitit 2012, Armando Vajushi la Vllazninë dhe Shkodrën për t’u transferuar në Bullgari, te Liteks Loveç, një ekip me emër që ka pasur edhe shqiptarë të tjerë në gjirin e tij më parë. Tani, pas 7 vitesh, Vajushi rikthehet në Superiore, me fanellën e Teutës. Lojtari ka firmosur kontratën me klubin durrsak dhe është prezantuar me ekipin e ri. Në njoftimin zyrtar, drejtuesit e Teutës nuk i kanë bërë të ditura detajet e kontratës, që mendohet se mund të jetë deri në fund të sezonit.

Shkodrani 27-vjeçar, përveç kampionatit bullgar, ka provuar të luajë edhe në Itali. Ai u ble nga Kievo, por gjithë kohën ka luajtur si i huazuar me skuadra të Serisë B, si Livorno, Avelino dhe Pro Verçeli. Durrsakët e kanë afruar si një përforcim me shumë vlera, që do ta ndihmojë skuadrën në lojën sulmuese. Vajushi luan në të majtë të sulmit, por mund të bëjë edhe rolin e sulmuesit të djathtë apo sulmuesit të dytë. Për Superioren mund të konsiderohet vlerë e shtuar, edhe pse mbetet për t’u parë gjendja e futbollistit, ndërsa në aspektin personal mund të jetë një hap prapa në karrierë për Vajushin. Ndoshta rikthimi në Shqipëri do ta ndihmojë shkodranin të rifitojë gjendjen optimale, për të kaluar më pas sërish në një kampionat të huaj.

Armando Vajushi, kur luante me Vllazninë, dhe ish-presidenti i kësaj skuadre, Valter Fushaj

Teuta ka bërë edhe tre përforcime të tjera në merkaton e dimrit. Durrsakët kanë afruar mbrojtësit Erlis Frashëri dhe Renato Arapi, si dhe sulmuesin kroat Tomisllav Bushiç, i cili erdhi nga Flamurtari. Megjithatë, në dy ndeshjet e para të fazës së tretë, me Flamurtarin dhe Tiranën, skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi nuk ka marrë më shumë se dy pikë, pas dy barazimesh 1-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë