Futboll

Berisha e Strakosha presion Milanit, duan vendin e katërt

Vetëm një pikë ndan momentalisht Tomas Strakoshën, Etrit Berishën dhe Berat Gjimshitin nga vendi i katërt në kampionat, që siguron pjesëmarrjen në Champions League. Një vend që mbahet nga Milani pas javës së 22-të, por Atalanta dhe Lacio janë aty pranë, me 35 pikë. Gara është e fortë dhe shanset për të parë më shumë kuqezinj në Champions League sezonin e ardhshëm janë të mëdha. Përveç Elseid Hysajt, që qëndron në vend të të dytë të Serisë A me Napolin e tij, këtë kompeticion ka mundësi ta shijojë të paktën një nga portierët e Kombëtares, Berisha ose Strakosha. Nëse fati i buzëqesh Atalantës, bashkë me Berishën, do të provojë futbollin e më të mirëve në rang klubesh edhe Gjimshiti.

Lacio e Tares dhe Strakoshës fitoi në fushën e Frozinones, 0-1, me gol të Kaisedos në minutën e 36-të të ndeshjes. Portieri kuqezi ishte vendimtar me një pritje me këmbë në fundin e ndeshjes. Një fitore e vuajtur, por shumë e rëndësoshme për Lacion, që mban vendin e 7-të, por është vetëm një pikë pas Milanit të vendit të katërt. Në fushë zbritën dje me këtë ekip dhe dy shqiptarë të tjerë, Valon Berisha dhe Riza Durmishi.

Berat Gjimshiti (i pari majtas), duke festuar golin e fitores së Atalantës ndaj Kaljarit

Atalanta e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit, të dy titullarë, fitoi 0-1 në fushën e Kaljarit, me gol të Hateboer në pjesën e dytë. Të dy futbollistët e Kombëtares bënë një paraqitje mjaft të mirë në prapavijë, duke i dhënë siguri skuadrës bergamaske. Përveç portierit Berisha, tashmë edhe Gjimshiti po luan rregullisht në formacionin e Atalantës dhe po paraqitet shumë mirë. Të dy kanë marrë vlerësime nga shtypi sportiv italian pas ndeshjes. Duhet theksuar se Atalanta ishte me fat, pasi në kohën shtesë Kaljari goditi traverse e portës së mbrojtur nga Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë