Lajme

Anulohet koncesioni për privatizimin e llixhave të Peshkopisë

Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë në prefekturën e Shkodrës ka anuluar lejen e dhënë në muajin dhjetor për shfrytëzimin e ujërave termale në Peshkopi.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit është konstatuar se janë cenuar të drejtat e pronësisë së Bashkisë Dibër, e cila prej vitit 1999 rezulton pronare e kësaj zone me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi për dhënien e lejes së shfrytëzimit për subjektin privat “Nesimi SHPK” nxirrte jashtë loje Qendrën Balneare Peshkopi.
Janë mbi 35 hotele dhe mbi 100 biznese familjare që e kanë lidhur veprimtarinë e tyre me funksionimin e ndërmarrjes së llixhave. Prefekti i Qarkut Dibër organizoi një takim me përfaqësues të ndërmarrjes së llixhave, përfaqësues të Bashkisë Dibër si dhe përfaqësues të komunitetit dhe biznesit pas shqetësimit.
Prefekti iu drejtua Këshillit të Basenit Drin-Bunë me një shkresë me anë të të cilës kërkoi anulimin e këtij vendimi, pasi ky vendim nuk ka marrë në konsideratë disa akte ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e ndërmarrjes së llixhave të Peshkopisë.
Po ashtu mbrëmë, ministrja Olta Xhaçka nga Dibra e cilësoi vendimin si abuziv dhe në mungesë të plotë transparence. Gjithashtu ministrja tha se për këtë rast do të mbahen dhe përgjegjësitë e duhura. Ky vendim është denoncuar edhe nga Partia Demokratike në ditët e fundit.
Më herët, edhe banorët e kundërshtuan vendimin e privatizimit të llixhave me protesta të herëpashershme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë